LAJMI I FUNDIT:

Malisheva bëhet me inkubator të biznesit

Malisheva bëhet me inkubator të biznesit

Në vazhdën e mbështetjes për komunat e Kosovës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka nënshkruar sot marrëveshje me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj për nisjen e ndërtimit të Inkubatorit të Biznesit në këtë komunë.

Ministri Shala ka thënë se qëllimi i kësaj marrëveshje është ndihma ndaj komunave që bizneset të kenë kushte dhe mundësi më të mirë për ta zhvilluar veprimtarin e tyre.


“Çdo ditë po punojmë që bizneset tona të kenë kushte dhe mundësi të operimit më të mira. Iniciativat të ngjashme nuk do të ndalen me kaq, por do të vazhdojnë edhe në komunat tjera. Jam i lumtur që sot nënshkrova një marrëveshje për nisjen e ndërtimit të Inkubatorit të Bizneseve në Komunën e Malishevës dhe së shpejti do të nisin edhe punimet. Ky inkubator do të jetë një mundësi e mirë për të rinjtë e Kosovës që idetë e tyre t’i bëjnë realitet”, ka thënë Shala.

Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është zotuar se do t’i kryejnë të gjitha detyrat e përcaktuara me kontratë dhe të jetësohet sa më shpejt projekti.

“Ky investim është i mirëseardhur për Malishevën dhe ky projekt do të ju shërbej bizneseve të Malishevës, për prezantimin e dhe avancimin e projekteve të tyre dhe krijimi i kushteve më të mira për të gjitha bizneset, e sidomos të rinjtë të cilët do të kenë mundësi më shumë për realizimin e ideve të tyre ”, ka thënë kryetari Begaj. /Telegrafi/