LAJMI I FUNDIT:

Maksuti: Maqedonia vazhdon rrugën drejt NATO-s

Maksuti: Maqedonia vazhdon rrugën drejt NATO-s

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Bekim Maksuti sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme hapi takimin me Grupin e Menaxhimit të Bashkëpunimit të Sigurisë në Evropën Juglindore me përfaqësues të Ministrisë.

Maksuti theksoi se në botën e sotme multipolare, në të cilën kërcënimet e sigurisë janë asimetrike, siguria globale mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit real dhe efektiv.


“Unë jam i bindur se integrimi i Ballkanit në NATO dhe në Bashkimin Evropian është një element kyç dhe se politika e dyerve të hapura në NATO duhet të vazhdojë deri sa çdo vend aspirant nuk ka gjetur rrugën e vet në Aleancë”, tha Maksuti. Ai shtoi se “pas 17 Planeve Aksionale për Anëtarësim të suksesshëm, Maqedonia është ende në rrugën drejt NATO-s, por edhe se reformat mbeten në fokusin tonë.”

Si pjesë e takimit të sotëm, përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes do të prezantojnë politikën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në Ministri, kontributin e Armatës në misionet paqeruajtëse dhe kapacitetin e qendrës së vetme të certifikuar nga NATO në vend, Qendrën Rajonale për Marrëdhënie me Publikun.

Këtë vit, Republika e Maqedonisë kryeson Grupin e Menaxhimit të Bashkëpunimit të Sigurisë në Evropën Juglindore. Ky grup përfaqëson një forum joformal dhe fleksibël për forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve dhe iniciativave të shumta. Një pjesë e grupit janë vendet nga Partneriteti për Paqe dhe vende anëtare të NATO-s./Telegrafi/