Lëvizja ZNAM për Maqedoninë Tonë dënon ashpër krimet e luftës të kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe rastet e Hagës në Maqedoni nga viti 2001, si dhe çdo përpjekje për glorifikimin, relativizimin apo justifikimin e tyre.

"Për ne nuk ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për respektimin e viktimave, të drejtës ndërkombëtare dhe vlerave civilizuese. Asnjë krim lufte nuk mund të justifikohet dhe asnjë kriminel lufte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë nuk mund të paraqitet si shembull për respekt apo admirim. Postimi është qëndrim personal i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe nuk mund të barazohet me qëndrimin e Qeverisë, e as me politikën e bartësve të pushtetit. Përgjegjësia për veprimet publike dhe qëndrimet personale duhet të merret individualisht dhe institucionalisht. Prandaj, është e paserioze dhe politikisht e pandershme të pretendohet se ZNAM-i “hesht”, vetëm pse nuk kemi reaguar sipas diktatit dhe brenda afatit që dikush nga opozita na ka caktuar", thonë nga ZNAM.


Nga partia thonë se ZNAM-i flet dhe vepron mbi bazën e parimeve të veta.

"Nëse vërtet duam të diskutojmë seriozisht për vlerat evropiane, demokracinë, përballjen me të kaluarën dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare, atëherë le të diskutojmë pa etiketim, pa pamflete politike dhe pa konstruksione historike të krijuara për përdorim të politikës ditore. ZNAM-i dënon çdo glorifikim të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës. Njëkohësisht, ZNAM-i e refuzon edhe instrumentalizimin politik të kësaj çështjeje jashtëzakonisht serioze, me qëllim krijimin e fajësisë kolektive, ndarjeve etnike dhe konstruksioneve politike. Venko Filipçe dhe LSDM-ja nga një temë serioze krijojnë një konstruksion të tërë politik, në të cilin përpiqen të lidhin partitë e pushtetit dhe Lëvizjen ZNAM, Serbinë, Aleksandar Vuçiqin, “botën serbe”, Kinën, Rusinë dhe KPM-në, gjë që për ne përfaqëson një spin klasik politik, qëllimi i të cilit është që një veprim konkret ta shndërrojë në një konstruksion më të gjerë për diskreditimin e të gjithë Qeverisë dhe partnerëve të saj të koalicionit. Njëkohësisht, si Lëvizje dhe subjekt serioz politik, nuk do të lejojmë që “interpretuesit” e vetëshpallur politikë të na shpjegojnë se çfarë mendojmë, në çfarë besojmë dhe për çfarë angazhohemi. Qëndrimi i ZNAM-it është i qartë: NATO dhe BE-ja janë e ardhmja e Maqedonisë! ZNAM-i do të vazhdojë ta mbajë përgjegjësinë e tij ndaj Maqedonisë me qëndrim të pavarur, parime të qarta dhe respekt ndaj shtetësisë, të drejtës ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarëve të saj", thuhet në reagim.