LAJMI I FUNDIT:

Mahmuti: UÇK u krijua nga LPK, por u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore

Mahmuti: UÇK u krijua nga LPK, por u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krijuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës, por ka thënë se ajo më pas është shndërruar në një lëvizje të të gjithë shqiptarëve.

“Është e ditur se UÇK-ja është krijuar nga LPK-ja, por në një moment të caktuar, UÇK është hapur dhe e ka tejkaluar edhe LPK-në dhe është bërë një lëvizje gjithëpopullore, në të cilën janë angazhuar të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh përkatësinë rajonale, ideologjike e fetare, por që kanë pasur qëllim politik çlirimin e vendit”, ka theksuar Mahmuti në RTK, duke folur për rrugëtimin deri te Epopeja e UÇK-së.


Ai tutje ka thënë se rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij ka qenë moment frymëzimi për pjesëtarët e tjerë të UÇK-së.

“Nuk ka qenë assesi moment dëshpërimi, përkundrazi ajo dhimbje e madhe, ajo revoltë dhe sakrificë e madhe na ka obliguar që të mobilizohemi shumë më tepër që të arrijmë realizimin e aspiratave, për atë që ranë edhe Ademi, Hamza dhe baca Shaban dhe të gjithë dëshmorët e heronjtë e kombit”, ka shtuar Mahmuti.

Ai ka thënë se personalisht nuk e ka pasur rastin ta takojë Komandantin Legjendar, por për të ka dëgjuar fjalë të mëdha nga Ramiz Lladrovci, pasi Adem Jashari ka qenë i lidhur ngushtë me Fehmi Lladrovcin.