Lojtari më i mirë i shahut në botë e mposhti inteligjencën artificiale, ChatGPT në një ndeshje online vetëm pas 53 lëvizjeve.

Magnus Carlsen fitoi ndeshjen pa humbur asnjë figurë, ndërsa ChatGPT humbi të gjithë ushtarët e tij, tregojnë ‘screenshot’ që mjeshtri i madh norvegjez publikoi në X më 11 korrik. ChatGPT dorëzoi ndeshjen.


“Ndonjëherë mërzitem gjatë udhëtimeve,” shkroi Carlsen.

“Ishte metodik, i pastër dhe i mprehtë. Lojë e mirë!” i tha ChatGPT, Carlsen.

Ky i fundit gjithashtu i deklaroi ‘botit’ AI se mendonte se “lojë të mirë bëre në hapje,” por në fund “dështove të më ndjek siç duhet.” Ai i kërkoi gjithashtu mendimin për performancën e tij.

“Loja jote tregoi disa tipare të forta,” i tha AI. E komplimentoi për hapjen, durimin, vetëdijen taktike dhe teknikën në fazën përfundimtare të lojës. Vlerësoi fuqinë klasike rreth 1800-2000 në sistemin FIDE ose USCF, megjithatë AI pranoi se mund të jetë edhe më e lartë.

Si renditjet FIDE, ashtu edhe ato USCF llogarisin nivelin e lojtarëve të shahut bazuar në performancën e tyre në turne zyrtare duke përdorur sistemin e vlerësimit Elo, i cili merr parasysh rezultatet e ndeshjeve dhe renditjen e secilit lojtar para ndeshjes. Sipas këtij sistemi, ndeshjet me rezultate të papritura — si ato ku lojtarët me rang më të ulët mposhtin ata me rang më të lartë — kanë ndikim më të madh në renditjen e lojtarëve.

Renditjet FIDE menaxhohen nga organizata ndërkombëtare e shahut, Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE), dhe renditjet USCF nga Federata Amerikane e Shahut.

Renditja aktuale e Carlsen në FIDE është 2839, duke e bërë atë lojtarin më të mirë në botë. Carlsen konsiderohet gjerësisht si lojtari më i mirë në histori. Norvegjezi 34-vjeçar ka fituar pesë herë Kampionatin Botëror të Shahut, të fundit në vitin 2021. Ai nuk ka marrë më pjesë në kampionate që atëherë, duke thënë se “nuk kam më dëshirë për të luajtur”.

Rreth një javë pasi Carlsen tregoi që e mposhti ChatGPT-në në lojën online të shahut, ai humbi në turneun Freestyle Chess Grand Slam Tour në Las Vegas nga mjeshtri i madh indian, adoleshenti Rameshbabu Praggnanandhaa. /Telegrafi/