LAJMI I FUNDIT:

“Made in Germany”, rritet kërkesa nga vendet jashtë Eurozonës

“Made in Germany”, rritet kërkesa nga vendet jashtë Eurozonës

Porositë industriale gjermane janë rritur më shumë se pritej gjatë muajit Mars për shkak të kërkesës jashtë Eurozonës.

Të dhënat tregojnë se një fillimvit i fuqishëm i Gjermanisë do të vazhdojë edhe përgjatë tremujorit të dytë. Kontratat për mallrat “Made in Germany” u rritën me 1.9 për qind gjatë muajit dhe është rritja më e madhe që prej Qershorit të 2015-ës.


Të dhënat e publikuara nga Ministria e Ekonomisë thyejnë parashikimet e agjencisë Reuters. Ndërsa porositë e brendshme ranë me 1.2 për qind, kërkesa nga jashtë në total u rrit me 4.3 për qind. Ekspertët thonë se zhvillimet e qëndrueshme ekonomike në Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për industrinë gjermane dhe shtojnë se kompanitë mund të kenë përfituar edhe nga të dhënat pozitive të Kinës mbi tregtinë.

Megjithatë, ekonomistët thonë se investimet e brendshme të dobëta vazhdojnë të përbëjnë një problem për ekonominë e Gjermanisë. Shifrat për sektorët e ekonomisë gjermane treguan se porositë për mallrat kapitale dhe produktet konsumatorë janë rritur, ndërsa kërkesa për mallrat e ndërmjetëm ishte më e dobët për muajin Shkurt. Për të gjithë tremujorin, porositë industriale u rritën me 0.5 për qind, ndër këto, porositë nga jashtë u rritën me 2 për qind dhe ato të brendshme ranë me 1.3 për qind.

Institucionet kryesore ekonomike deklarojnë se ekonomia gjermane mund të jetë rritur me rreth 0.6 për qind gjatë tremujorit. Të dhënat paraprake për Produktin e Brendshëm Bruto të Gjermanisë do të publikohen gjatë javës. Në 2015-ën, ekonomia gjermane u rrit me 1.7 për qind, që është norma më e madhe në 4 vite, nxitur kryesisht nga konsumi i fortë privat dhe shpenzimeve të shtetit për refugjatët. Ekonomia pritet të zgjerohet me të njëjtën normë edhe përgjatë 2016-ës. /Telegrafi/