Macet shtëpiake mund të dallojnë erën e pronarit nga ajo e një të huaji, sugjeron një studim i ri.

Një studim i kryer nga Universiteti Bujqësor i Tokios zbuloi se macet kaluan dukshëm më shumë kohë duke nuhatur tuba që përmbanin aromën e personave të panjohur, krahasuar me tubat që përmbanin aromën e pronarit të tyre, shkruan BBC.


Kjo sugjeron se macet janë në gjendje të bëjnë dallimin mes njerëzve të njohur dhe të panjohur në bazë të erës, thonë studiuesit, megjithatë nuk është e qartë nëse ato mund të identifikojnë individë të veçantë.

Njihet tashmë që macet përdorin ndjesinë e tyre të fortë të nuhatjes për të identifikuar dhe komunikuar me mace të tjera, por deri tani nuk ishte studiuar nëse ato mund ta përdorin këtë aftësi për të bërë dallimin edhe mes njerëzve.

Studime të mëparshme mbi njohjen e njerëzve nga macet kanë treguar se ato janë të afta të dallojnë zërat, të interpretojnë shikimin e dikujt për të gjetur ushqim, dhe të ndryshojnë sjelljen e tyre në përputhje me gjendjen emocionale të një personi, të cilën e njohin përmes erës.

Në studimin e publikuar të mërkurën, studiuesit prezantuan 30 mace me tuba plastikë që përmbanin: një tampon me erën e pronarit të tyre, një tampon me erën e një personi të panjohur (të së njëjtës gjini me pronarin), ose një tampon të pastër.

Mostrat me erë ishin fërkuar nën sqetull, pas veshit dhe midis gishtave të këmbës së pronarit apo të personit të panjohur. /Telegrafi/