LAJMI I FUNDIT:

Mabetex Group feston 25 vjetorin e themelimit të kompanisë

Mabetex Group feston 25 vjetorin e themelimit të kompanisë

Mabetex Group festoi 25 vjetorin e themelimit te kompanise përmes një organizimi solemn ku morën pjese mbi 500 te ftuar, personalitete të larta të shtetit.

Me këtë rast presidenti i Mabetex Group njëherit edhe i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli në fjalimin e tij para të pranishmëve ka thënë se Mabetex sot është ndoshta ndërmarrja më e madhe kombëtare shqiptare në botë si dhe më e madhja për buxhetin e vet që është i afërt me atë të Kosovës.

Ai ka thënë se çdo arritje është varësi për të sfiduar arritje të reja.

Në pamundësi për të qenë prezent në këtë darkë presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka uruar Pacollin për 25 vjetorin e Kompanisë duke i dëshiruar suksese të mëtejme.

Ndërkohë në telegramin e urimit të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta thuhet se familja MABETEX është shembull i një suksesi të shkëlqyer në fushën e kësaj sipërmarrje.

“MABETEX u kthye jo vetëm në një strehë punësimi për shqiptarët në nevojë anë e mbanë Evropës por edhe në një shkollë profesionale dhe një dritare shprese për të gjithë ata që kërkonin të bëheshin specialistë të zotë për veten dhe familjet e tyre. Më lejoni i dashur mik që me rastin e festimit të 25 vjetorit të themelimit të kompanisë në pamundësi ti bashkohem gëzimit dhe festimeve që i keni organizuar t’iu dërgoj urimet e mia më të sinqerta dhe iu dëshiroj suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të familjes Mabetex në ditët, muajt dhe vitet në vazhdim, në Kosovë, Shqipëri, mbarë trojet shqiptare dhe gjithë botën”, shkruhet ne këtë telegram.

Telegram urimi presidentit të MABETEX-it Behgjet Pacolli i ka dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Lulzim Basha.

“Më lejoni t’iu falënderoj për ftesën në një ditë kaq të veçantë për ju dhe kompaninë Mabetex. 25 vjet përkushtim për të ngritur një biznes të suksesshëm mbarëbotëror. Sukses të cilin ju me zemërgjerësi dhe fisnikëri e keni ndarë jo vetëm me familjen e madhe Mabetex por edhe me shqiptarinë. Kontributi dhe vëmendja juaj e vazhdueshme për fuqizimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës është shërbimi më i madh që mund ti bëhet popullit tonë. Shpresoj që do të kem mundësi t’iu vizitojë së shpejti në Prishtinë dhe t’iu mirëpres në Tiranë kurdo që është e mundur për ju” thuhet ndër të tjera në urimin e Bashës.

Ndërkohë është transmetuar edhe një dokumentar që tregon për punën 25 vjeçare të Mabetexit. /Telegrafi/