Berat Luzha ka folur për raportet mes Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës pas takimit të Stambollit, duke thënë se, sipas asaj që i kishte treguar Zeka, mes tyre nuk kishte pasur ftohje të raporteve.

Luzha, në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit “Dosjet”, ka treguar se Kadri Zeka i kishte thënë se marrëdhëniet me Jusuf Gërvallën ishin të mira dhe se të dy kishin vazhduar kontaktet.


“Kadri Zeka thotë që ne me Sabriun nuk kemi kaluar më së miri, por me Jusufin thotë jemi në kontakt të përhershëm, bile ai ka thënë se Jusufi ka pranuar që të jetë edhe në celulë me Kadriun, në celulë të OMLK-së. Ka thënë që do të të kemi një pauzë derisa të ftohen këto problemet që kanë lindur me Sabriun, dhe punën do ta vazhdojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka pasë asnjë fjalë të keqe ose që ka qenë kontestuese për Jusufin, në asnjë mënyrë. Me Jusufin thotë jemi në marrdhënie, në raporte shumë të mira ndërmjet vete dhe ai është pajtuar me gjithë ato kërkesa që janë shtruar nga tezat për Repbulikën e Kosovës”, ka deklaruar Luzha.

Luzha foli edhe për letrën që Jusuf Gërvalla ia kishte dërguar Sabri Novosellës pas takimit në Stamboll, përmes së cilës, sipas përshkrimit të bisedës, ai kishte shprehur mirëkuptim për shqetësimet dhe bindjet e Novosellës.

“Nuk e di cka ka shkruar dhe nuk e kam lexuar atë letër. Por e them me përgjegjësi të madhe që Kadriu nuk ka pasë asnjë vërejtje te Jusufi”, ka thënë Luzha.

Sa i përket kundërshtimit të Sabri Novosellës ndaj përfshirjes së OMLK-së në bashkimin e grupeve, Luzha ka bërë të ditur se nuk i njihte arsyet konkrete pas këtij qëndrimi.

“Atë nuk e di, nuk mund të shpejgoj qëndrimet e tij”, është shprehur ai.

Luzha foli edhe mbi dallimet mes grupeve dhe qëndrimet e Novosellës, teksa thotë se nuk mund të japë një vlerësim të saktë për arsyet që qëndronin pas pozicionimit të tij.

“Nuk i di këto. Unë them që Sabriu i ka pasë qëndrimet e veta, ndoshta të liderit apo dicka tjetër”, ka deklaruar Luzha.

Luzha foli edhe për organizimin e takimit në Stamboll dhe arsyet pse ai nuk ishte zhvilluar në Gjermani. Luzha ka thënë se vendi i takimit nuk duhet parë përmes logjikës se kush duhej të udhëtonte te tjetri.

“Nuk maten këto në mënyrë se kush po vjen njëherë te tjetri apo diçka në këtë mënyrë. Është e arsyeshme, Kadriu ka udhëtuar bashkë me vëllain e Jusufit”, ka thënë ai.

- YouTube www.youtube.com