LAJMI I FUNDIT:

Lumturia mund të ndizet duke e bërë një gjë të vogël – të pafund: Çfarë më bën sot të lumtur?

Lumturia mund të ndizet duke e bërë një gjë të vogël – të pafund: Çfarë më bën sot të lumtur?

Nga: Robert Dessaix / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Makth, farsë barbare. Qyteti fillimisht është marrë nga rusët, pastaj nga ukrainasit, pastaj përsëri nga rusët; forcat e huaja bashkohen me luftën, hordhitë e gangsterëve vazhdojnë të vrasin, mijëra janë therur dhe një murtajë përfshin të mbijetuarit. Është Kievi. Viti është 1918.


Një askush i ri i quajtur Konstantin Paustovsky (peshkatar, ndihmës mjeku, student) sapo ka ardhur – i nxitur për të shkruar. Është i pazakontë: në mes të masakrës mendon për lumturinë. Dekada më vonë nominohet për çmimin Nobel për Letërsinë, por sigurisht se nuk do ta marrë atë. Lumturia për të cilën mendon është gjithmonë e llojit të gabuar.

Në Kievin e vitit 1918, për shembull Paustovsky besonte se streha më e sigurt, më e lumtur nga orteku i katastrofave që përfshiu atdheun e vet, qëndron në tri gjëra: natyra, familja dhe intimiteti. Siç më ndodhi kur pandemia e koronavirusit goditi për herë të parë Australinë, familja jonë e vogël – me dy njerëz dhe një qen – në një kasolle në mes të “natyrës” fillimisht kërkoi strehim. Është e panevojshme të thuhet se nuk jetuam nga natyra, nuk e kërkuam ushqimin aty, thjeshtë jetonim mes pemëve të eukaliptusit. Shpresonim të rehatoheshim mes kaosit, përmes detyrave të vogla shtëpiake dhe intimitetit, duke e shijuar dehjen e butë që vjen nga të qenit i pangarkuar nga pakënaqësitë e botës më të gjerë. “Thithëm kënaqësitë e fshatit, në mënyrë fëmijërore”, kjo sipas fjalëve të poetit John Donne, në poemën e tij The Good-Morrow [E nesërmja e mirë].

Përfundimisht, tha Donne, ju vërtetë duhet të largoheni nga kjo lloj gjëje. Në vitet 1950, amerikanët – të cilët sipas Kushtetutës së tyre e kanë të drejtën për “kërkimin e lumturisë” – dolën me një formulë të ngjashme: me fshesat me korrent, duke gatuar dhe duke shikuar televizorin e kërkuan lumturinë – në familjet e lidhura ngushtë e të vogla, në shtëpitë dhe parcelat e tyre. Mund të thuhet se kurrë nuk janë larguar krejtësisht nga këto praktika, duke mbetur – çuditërisht deri sot – infantilë në shijen dhe sjelljen e tyre.

Për një javë ose 10 ditë, funksionoi mirë intimiteti dhe kryerja e detyrave shtëpiake në shkretëtirën e Tasmanisë. Pastaj, gjithçka krejt papritur u zbeh. Diçka mungonte. Ashtu si Nimbini e kishte ajrin e papritur të melankolisë. Duhej të mendonim përsëri. Çfarë lloj lumturie tashti ishte e mundshme? Për të qenë i sinqertë, në vazhdën e urisë, thatësirës, përmbytjeve dhe luftërave që pasuan shpërthimin e pandemisë, vetë pyetja nisi të dukej joserioze.

Nuk është aspak problem i ri, megjithëse disa komentues të kohëve të fundit – me zemërimin që kishin – vuajtjet tona i shpallën si diçka “pa precedent”. Ata në fakt ishin normalë për ato rrethana. Katërqind vjet më parë, për shembull, Robert Burton – autori i veprës monumentale Anatomy of Melancholy [Anatomia e melankolisë] – vajtonte për raportet e pandërprera të “luftës, murtajës, zjarrit, përmbytjeve, vjedhjeve, vrasjeve, masakrave, meteorëve, kometave dhe ogureve” që godisnin Anglinë.

Megjithatë, sipas të gjitha shënimeve, Burton ishte tip i hareshëm: duke shkruar veprën e tij enciklopedike mbi çdo lloj melankolie të njohur për njerëzimin, u bë antidot i shkëlqyeshëm për vetë atë gjendje. Arti shpeshherë është i tillë, por të mos harrojmë se nuk është për këtë punë. Edhe asirianët, dy mijë vjet më parë, iu drejtuan arteve. Dhe, a nuk janë relievet në Muzeun Britanik udhërrëfyes për këtë. Pavarësisht sundimit të egër e brutal të asirianëve, dhe thatësive të pafundme, përmbytjeve, murtajave dhe masakrave masive, disa njerëz me sa duket ishin me raste të lumtur – duke u dashuruar, duke kërcyer, duke shkruar poezi dhe duke kompozuar muzikë për flautet dhe dajret e tyre. Aty janë, në relieve. Si është e mundur kjo?

Kënaqësia shpeshherë është në dorën tonë, por kënaqësia nuk është lumturi dhe kurrë nuk mund të jetë e plotë në kohët si këto. Keni mundur ta ndjeni lëvizjen e rrufesë së lumturisë gjatë bombardimeve të Londrës, për shembull, por rrallëherë keni mundur ta ndjeni kënaqësinë. Tashti është e pamundur të jesh tamam i kënaqur, kudo në botë, teksa Bangladeshi po shkon nën ujë dhe Brazili po kthehet në shkretëtirë. Në fund të fundit, ndjesia jote e rehatisë dhe qetësisë varet gjithmonë nga ajo e njerëzve të tjerë. Herë pas here, megjithatë, edhe në situatën më të rëndë, edhe duke e ditur atë që dimë për valët e dhunës dhe të sëmundjeve që mbulojnë planetin si një mallkim kozmik, sigurisht se mund të jemi të lumtur – madje deri në ekstazë. Nëse vitet e fundit na kanë mësuar diçka, është se lumturia dhe trishtimi, madje edhe mjerimi, mund të ecin së bashku. E kam një mik në Jogiakartë që nuk mund të flinte për muaj të tërë gjatë valës së parë të Delta-Kovidit, kjo për shkak të sirenave të ambulancave që nxitonin për të vdekurit në spital. Megjithatë, kishte edhe lumturi: nipi i vogël, miqësia e ngushtë që lulëzonte, duke lexuar Turgenevit gjatë muzgut në kopsht – dashuri, me fjalë të tjera. Çfarë tjetër? Donne nuk do të ishte befasuar. Lumturia është si të goditesh nga rrufeja: stuhia thjeshtë e shton atë. Të dishë se mund të vdesim shumë shpejt do të thotë se çdo moment është i papërsëritshëm.

Çdo herë e më shumë, tani më duket se ajo që e fton rrufenë e lumturisë – që të godasë – është nevoja e shtuar për të qenë kreativ. Shkrova dhe bëra miqësi të reja, gjë që merr vëmendjen e një artisti. Kur mendja është e përqendruar në gjetjen e një ekuilibri midis asaj që ndjen thellë brenda vetes në pellgun e kujtimeve dhe asaj që ti sheh, dëgjon dhe madje nuhat gjithçka përreth kësaj, është një shkëlqim i papritur që nuk ka të bëjë me kënaqësinë, por kjo po që është lumturi.

Kur vetja prapa syrit ndriçohet në perceptimin e ri – me ndjesi, mirëkuptim, qëllim – ndizet diçka që unë do ta quaja lumturi. Blici nuk do të zgjasë, natyrisht, sepse kjo do të ishte e padurueshme; do të zbehet, por çfarë pastaj? Do të ketë shkëlqim të mëvonshëm. Vetja jonë e brendshme është si një vepër muzikore, shkruan Eva Hoffman në studimin e saj për kohën të quajtur Time [Koha] – “shfaqje e motiveve të përbëra nga mikrolëvizjet, si një kompozim me gamelan”. Gjatë izolimit njeriu kishte kohë për ta kalitur një shfaqje virtuoze.

Një nga mundësitë që pandemia ofroi ishte që ta merrnim sërish parasysh kohën. Në fund të fundit, të banosh mirë në kohë – në vend se të ngatërrohemi me nocionet e pavdekësisë ose të pakuptimësisë së gjithçkaje – është një prej çelësave për jetë të lumtur. Nuk është e lehtë. E kuptoj tash se të gjitha gjërat që na bëjnë të lumtur ndodhin me kohë: të dashurohemi, të arratisemi nga shtëpia, ta gjejmë parajsën ose ta krijojmë bukurinë (kopshte, piktura, lidhje). Është siç thotë Hoffman, “ritmi dhe shkalla e duhur muzikore e përvojës së jetuar – të jesh në botë – të cilën duhet ta gjejmë vetë ne për hir të mirëqenies sonë”. Lloji i rrënjosur i ekzistencës që u bë normë vitet e fundit, e bëri më të lehtë përvetësimin e “ritmit të duhur” që hapi derën drejt lumturisë së pamenduar, jo vetëm përmbushjes apo të kënaqësisë, por diçka më dinamike: shpërthimet e lumturisë.

Duke e gjetur botën e brendshme që është më e besueshme se ajo e jashtmja, disa njerëz që njoh nisën të kënaqen me budizmin, të adoptonin qentë e shpëtuar dhe t’ju bashkohen koreve. Mendoj se qentë dhe koret shpërfaqin premtimet, ndërsa nocioni budist i arritjes së lumturisë, qoftë përmes zhdukjes së dëshirës ose përqafimit të jovetes, nuk më ka tërhequr kurrë më fort se sot. Në përvojën time, të duash dhe të marrësh, apo në mënyrë të këndshme të mos marrësh atë që kam dashur, ka qenë gjëja kryesore e jetës. Për më tepër, gjatë pjesës më të madhe të jetës time i kam vizituar fortesat budiste që nga Dharamsala e deri te Kamboxhia, por kam parë pak shenja, në cilëndo prej tyre, se sekreti i lumturisë është gjetur – ndoshta po për qetësinë, por jo për lumturinë. As tani, përballë asgjësimit kozmik, nuk shoh shumë kuptim te “të jetuarit në moment” si parazit ose pacient me demencë, megjithëse është klishe që njerëzit ende e marrin parasysh. Të jetosh në kohë tani duket si një kornizë më reale, më ritmike, më e gëzueshme për një jetë më të mirë, sesa të përpiqesh ta kapërcesh atë me shpresën e një pavdekësie vetëmohuese.

Në fakt, ajo që Robert Burton, John Donne dhe Eva Hoffman theksojnë në shkrimet e veta dhe në jetën e vet është lumturia e ndezur duke bërë një diçka të vogël si të pafundshme. Obsesioni i Burtonit me melankolinë u pasurua pothuajse pafundësisht nga kureshtja e tij e pakufishme për botën e gjerë – në gjithçka, që nga krishterimi te astrologjia, astronomia, poezia latine dhe minierat peruane të arit. Donne e shprehu ndryshe: dashuria për të dashurën, shkruan ai në The Good-Morrow, veçanërisht kur zgjohesh me të në mëngjes, “e bën një dhomë të vogël … gjithandej”. Dhe, kjo është ajo që kam mësuar: të kaloj shtigjet e Himalajeve ose të vallëzoj tango ose të ëndërroj me çdo kusht për Venecian, por edhe të mësoj ta bëj atë në intimitetin e “dhomës së vogël” ku është ankoruar zemra ime, e imja “gjithandej”. Është pothuajse e pamundur, por, sipas përvojës time ia vlen ta provosh. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Piruni

Piruni

Daut Dauti
Rilindja evropiane dhe ndikimi në histori

Rilindja evropiane dhe ndikimi në histori

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Kalo në kategori