Luka Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm, Prokuroria s’arriti të provojë të kundërtën

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklaratat përmbyllëse sot i nisi mbrojtja e Thaçit, avokati Luka Mishetiq.
Gjatë deklaratës së tij, avokati Luka Mishetiq tha se trupi gjykues gjatë diskutimeve konfidenciale do të arrijnë pashmangshëm në konstatimet se Prokuroria s’ka arritur që të plotësojë kriterin e barrës së provës ndaj klientit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ne parashtrojmë se në kuvendimet tuaja do të arrini pashmangshëm së ZPS-ja nuk arriti të plotësojë kriteret e standardit të barrës së provës që i përket. Tërësia e provave vërteton një konsensus të dëshmitarëve ndërkombëtarë, atyre brenda UÇK-së dhe prova shkresore që vërtetojnë dyshimet e arsyeshme lidhur me pretendimet e ZPS-së”, tha ai.
Mishetiq theksoi se ndërkombëtarët kanë dëshmuar se gjërat që po ndodhnin nuk ishin të lidhura me Thaçin dhe këtë duke bazuar në informacionet e tyre, e veç asaj edhe në shërbimet e inteligjencës.
Përpara kësaj, avokati tha se të akuzuarit janë persona për të cilët ligji thotë se duhet të prezumohen të pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta.
“Përpara jush janë katër burra për të cilët ligji duhet të thotë se duhet të prezumohen të pafajshëm. Ky proces është sjellë këtu se ZPS ka ngritur pretendime se ata kanë prova që vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se ata janë fajtorë dhe për rrjedhojë për më shumë se 5 vite jemi të përfshirë në këtë proces ku duhet të bëhet verifikimi i pretendimeve të ZPS-së dhe për të parë nëse ata mund të vërtetojnë këto pretendime. Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Thaçit. Ky është verifikim i pretendimeve të Prokurorisë së Thaçi nuk duhet të gëzojë prezumimin e pafajësisë”, tha ai.
Tutje, Mishetiq tha se diskutimet do të fillojnë me qëndrimin se Thaçi është i pafajshëm, pastaj do vlerësohen provat e paraqitura nga Prokuroria.
“Kur të filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Thaçi është i pafajshëm dhe pastaj do të vlerësoni se provat e paraqitura nga ZPS ju kanë bindur juve se jashtë dyshimit të arsyeshëm se Thaçi është fajtor. Nëse Prokuroria s’ju ka bindur ju, ju duhet të arrini të paktën një shpjegim të arsyeshëm të provave ndryshe. Pra, që Thaçi nuk është fajtor për akuzat që janë në aktakuzë”, tha ai.
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Dita e sotme është rezervuar për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit dhe asaj të Veselit, e që kjo e fundit do të vazhdojë edhe të enjten për tu pasuar më pas me Krasniqin.
Mbrojtja e Krasniqit do të përfundojë deklaratën e saj përmbyllëse të premten dhe pastaj do të vazhdojë ajo e Selimit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/





















































