Luis Diaz duhet t'i ndjekë dy rregulla te Bayerni, që nuk ekzistonin te Liverpooli

Luis Diaz është zyrtarisht futbollisti më i ri i Bayern Munichut, pasi klubi gjerman arriti marrëveshje me Liverpoolin për një shumë prej 70 milionë euro. Sulmuesi kolumbian nënshkroi një kontratë katërvjeçare, me opsion zgjatjeje.
28-vjeçari ishte i lidhur me Liverpoolin deri në vitin 2027, ndaj kjo verë u pa si momenti i fundit kur “The Reds” mund të siguronin një shumë të konsiderueshme për të, duke pasur parasysh që nuk kishte ende sinjale për rinovim.
Sipas Daily Mail, Diaz do të përballet me një kulturë ndryshe disiplinore te Bayern. Në vend të gjobave për vonesë në stërvitje – siç ndodh zakonisht te Liverpooli nën drejtimin e Arne Slot – lojtarët te Bayerni detyrohen të qëndrojnë më gjatë në fushë, derisa trajneri Vincent Kompany të përfundojë seancën e tij.
Për më tepër, mënyra e komunikimit për përzgjedhjen e formacionit ndryshon ndjeshëm. Te Bayerni, emrat që nuk përfshihen në skuadër informohen paraprakisht personalisht nga Kompany, para publikimit të listës zyrtare. Komunikimet kryhen shpesh edhe përmes grupit të WhatsApp-it të ekipit, ku lojtarët zbulojnë nëse janë të grumbulluar apo jo.
Një tjetër risi për Diaz është edhe rregulli i pajisjes me makinë. Sipas politikave të brendshme të klubit gjerman, çdo lojtar duhet të përdorë një model të caktuar automjeti në përputhje me marrëveshjet sponsoriale dhe imazhin e klubit.
Ndryshe nga Kompany, Arne Slot nuk ka bërë publike metodën e tij për shpalljen e formacionit, megjithatë besohet se shumica e trajnerëve e bëjnë këtë gjatë takimeve ballë për ballë me skuadrën.
Kompany njihet edhe për qasjen e tij diskrete në kritikë – ai nuk i qorton lojtarët në mënyrë publike, por preferon t’i adresojë gabimet në mënyrë private. Kjo qasje ka për qëllim ruajtjen e harmonisë dhe frymës së grupit, që ai e konsideron kyçe për suksesin. /Telegrafi/






















































