LAJMI I FUNDIT:

Lu-Vlahutin angazhohen për finalizimin e “vettingut”

Lu-Vlahutin angazhohen për finalizimin e “vettingut”

Në prag të votimit në Parlament javës që vjen të komisioneve të “vettingut”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian u kanë dhënë mundësi ambasadorit Donald Lu dhe ambasadores Romana Vlahutin që të mund të marrin pjesë në bordin menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit “si anëtarë jo të përhershëm, veçanërisht kur takimet do të zhvillohen në Shqipëri”.

Roli i dy ambasadorëve bëhet i njohur në dokumentacionin e shkëmbyer nga shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera në datën 7 shkurt 2017 me sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe zyrtarë të tjerë.


Në marrëveshjen e firmosur në nëntor të vitit 2016, SHBA dhe BE angazhohen për të finalizuar procesin e “vetting-ut”, duke përzgjedhur vëzhguesit ndërkombëtare me të paktën 15 vite eksperiencë, si prokurorë ose gjyqtarë, të cilët do të kenë si qëllim:

– Hartimin e rekomandimeve në lidhje me seleksionimin e kandidatëve për anëtare të Komisionit të posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe 2 komisionerëve publikë;

– Hartimin e rekomandimeve në lidhje me kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

– Të asistojë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke siguruar informacione shtesë dhe prova në bashkëpunim me vende të tjera;

– Të monitorojë dhe të mbikëqyrë të gjithë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesja e misionit vëzhgues, Genoveva Ruiz Calavera ka deklaruar se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk merr vendime ekzekutive, pasi të gjitha vendimet përfundimtare në këtë proces iu takojnë autoriteteve shqiptare.