LSDM: Buxheti është bosh, rrezikohen pensionet dhe shtylla e dytë pensionale


Partia opozitare LSDM akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e shkatërron në mënyrë sistematike sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se mungesa e mjeteve financiare rrezikon pagesën e pensioneve dhe funksionimin e shtyllës së dytë pensionale.
Në një konferencë për media, anëtarja e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mladenovska, deklaroi se mungesa e fondeve në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor (PIOM) është rritur në 40 për qind, ndërsa sipas saj, është vënë në pikëpyetje edhe e ardhmja e shtyllës së dytë pensionale.
Ajo iu referua edhe deklaratës së guvernatorit Trajko Sllaveski, sipas të cilit deri në 80 për qind e qytetarëve që do të dalin në pension në periudhën 2030–2032 nuk do të arrijnë të sigurojnë as pensionin minimal.
Sipas LSDM-së, Qeveria po planifikon dobësimin ose shfuqizimin e shtyllës së dytë pensionale, duke rikthyer kontributet e punëtorëve nga fondet private në fondin shtetëror PIOM. Sipas opozitës, një veprim i tillë do t’i bëjë pensionistët e ardhshëm të varen vetëm nga buxheti i shtetit, i cili, sipas tyre, tashmë ndodhet në gjendje të rënduar financiare.
Mladenovska akuzoi gjithashtu Qeverinë se për vetëm dy vjet e ka rritur borxhin publik me 2.5 miliardë euro dhe se deficiti buxhetor për të gjithë vitin është shpenzuar që në gjysmën e parë të vitit.
LSDM vlerëson se shkaku kryesor i kësaj situate janë, siç i quajti ajo, tenderët korruptivë partiakë, duke shtuar se fondet që duhet të përdoreshin për pensione, shëndetësi, arsim dhe paga po përfundojnë në duart e individëve të afërt me pushtetin.
Sipas opozitës, politikat e Qeverisë rrezikojnë jo vetëm pensionet e pensionistëve aktualë, por edhe sigurinë financiare të gjeneratave të ardhshme.

































