LAJMI I FUNDIT:

“Love story” apo “Fake Story”?!

“Love story” apo “Fake Story”?!

Nga: Elona Caslli

Alketa Vejsiu, teksa prezantonit emisionin tuaj të përjavshëm “Love story”, bëtë një pohim: Ky është një emision që synon të emancipojë shoqërinë shqiptare dhe ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo mesazhi që japim.


Vejsiu, a e dini çfarë do të thotë fjala ”emancipim”?! Emancipimi në thelb përmban dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e këtij të fundit. Emancipimi është raport i drejtë me të vërtetën.

Në cilësinë e një gruaje që si çdo grua ka pasur përvojat e saj në jetë, Vejsiu, kisha një pyetje të drejtpërdrejtë për ju: Sa besoni në atë çka thoni, apo në punën që bëni?!

Ju përpiqeni të na servirni si “Love story” diçka që në të vërtetë është një “Fake story”.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv,

Nuk ndodh kurrë që 18 vajza të pëlqejnë njëkohësisht të njëjtin djalë dhe të pranojnë faktin që emri i tyre të vendoset në grafik nga ky djalë dhe të presin radhën se kur do t’i përzgjedhë ky i fundit për të dalë.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv, Vejsiu, nuk ndodh kurrë që 18 vajza të shohin takimet e xhiruara të njëra-tjetrës me të njëjtin djalë dhe të fillojnë t’i komentojnë këto të fundit.

Dashuria nuk xhirohet Vejsiu, por përjetohet. Një dashuri e xhiruar, nuk është dashuri, është “porno me dashurinë”.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv, Vejsiu, një vajzë ka dinjitetin e saj, ka jetën e saj, ka punën e saj dhe nuk e lë veten të përzgjidhet mes 18 vajzave të tjera për arsyen e thjeshtë se gjatë kësaj pritjeje, gjatë kësaj përzgjedhjeje, nuk respektohet dinjiteti i saj si njeri e mandej dinjiteti i saj si vajzë.

Për të gjitha ato vajza që vihen në radhë dhe presin të përzgjidhen nga “Princi i kaltër”, në të vërtetë ndiej dhimbje. Ndiej dhimbje pasi kanë rënë në grackën e famës televizive dhe e shohin këtë të fundit si pohim të identitetit përkatës, ndërkohë që identiteti duhet të jetë dinjitet dhe jo mungesë e këtij të fundit.

Dhe ju Vejsiu, më mirë se kushdo tjetër, e dini fort mirë se sa e vështirë është rruga e ekranit. E dini fort mirë se të gjitha ato vajza pas përfundimit të “Fake story” do të rikthehen në të përditshmen e tyre të zakonshme, pasi ato nuk janë gjë tjetër veçse “Kurbani” i radhës i një formati televiziv fitimprurës për producentët dhe denigrues për dinjitetin e njeriut dhe njëkohësisht për shoqërinë shqiptare.

“Fake story” nuk jep një mesazh edukues për shoqërinë shqiptare. Përkundrazi, e redukton vajzën shqiptare në një qenie të zhveshur nga dinjiteti dhe emocioni i mirëfilltë njerëzor.

Dhe, së fundmi dy pyetje për ju Vejsiu, në cilësinë e gruas dhe të nënës:

– A do të merrnit ju vetë pjesë në një emision të tillë?!

– A do ta dërgonit ju vajzën tuaj në një emision të tillë?!

Të dyja si bashkëmoshatare e dimë fort mirë që përgjigjja është “jo”.

Kini mirësinë të mos ta përligjni këtë proces me faktin se një format i tillë shfaqet edhe në vende evropiane, pasi Evropa është pikë referimi për shumë gjëra, por në pak gjëra mund të jetë edhe pikë çorientimi.

Post Scriptum: Të përvetësojmë fillimisht pikat e referimit evropian, Vejsiu. Pasi të kemi mbaruar punë me pikat e referimit le të hidhen në diskutim gjërat e tjera. E keni filluar numërimin nga fundi dhe kjo nuk është as e hijshme dhe as e dobishme.