LAJMI I FUNDIT:

“Loti” – pa fjalë për vuajtjen, dhembjen dhe izolimin

“Loti” – pa fjalë për vuajtjen, dhembjen dhe izolimin

Është një video katërminutëshe që evokon vetminë, dhembjen dhe izolimin. Por, këto thirrje e mesazhe të shtresëzuara nuk vijnë përmes fjalëve. Thirrjet e shumëfishta të saj gjuhësohen përmes tingujsh e pamjeve bardhezi. Madje në shpjegimin që ka përcjellë shpërndarjen e “Lotit” është bashkëngjitur edhe një thënie e novelistit polak Jerzy Kosinski se “parimet e artit të vërtetë nuk janë të portretizojnë, por të evokojnë”…

Vepra “Loti”, që përzien në mënyrë eklektike zhanrin ambiental, progresiv, new-age dhe klasik, ka bërë bashkë artiste virtuoze e profesionistë. Duke kontribuuar me shpirt e vullnetarisht, siç e thotë kompozitori i muzikës, Agron Shala, ata kanë bërë të mundur që të bëhet diçka unike në aspektin viziv dhe atë audio.


“Dikush e ka përjetuar si një poezi të projektuar në eter, një tjetër si vetmi, tjetri si spastrim, e dikush edhe si dhembje e kërkim çlirimi… përmes lotit!”, thuhet në një përshkrim për videon “Loti”.

Gjithçka zë vend brenda një hapësire të ngushtë e të thjeshtë: është një mur i gëlqerosur me të bardhë, një kornizë e zezë e varur dhe skajet e një qilimi. Aty performon një nga balerinat më të njohura shqiptare, Vjollca Llugiqi. E koreografuar nga vetë ajo, lëvizjet e saj përçojnë gjendje e mesazhe.

Me një ndërmjetëz brenda videos ku për disa sekonda shihen si turbullt fluturimet e shpendëve, performanca e balerinës ecën njëkohshëm me vokalin pa fjalë të sopranos së shquar Besa Llugiqi.

E jashtë performances së dy artisteve motra, është një ekip i tërë realizuesish. Konceptimi i videos dhe fotografisë është bërë nga Fahredin Spahija, përderisa Muhamet Veseli-Muha është inxhinier i zërit, e xhirimet janë bërë nga kameramanët Korab Basha e Pjetër Monreca. /Koha Ditore/