LAJMI I FUNDIT:

Lopët futen në oborrin e Spitalit të Pejës, reagon institucioni: Po ndodh tash e disa vite nga persona të papërgjegjshëm

Lopët futen në oborrin e Spitalit të Pejës, reagon institucioni: Po ndodh tash e disa vite nga persona të papërgjegjshëm

Spitali i Pejës ka shprehur shqetësim lidhur me hyrjen e bagëtive në oborrin e këtij institucioni.

Përmes një reagimi publik, nga spitali kanë thënë se një veprim i tillë po ndodh tash e disa vite pandërprerë.


Tutje, thuhet se futja e bagëtive dhe qenve endacakë në oborrin e spitalit po rrezikon vizitorët dhe personelin.

“Disa herë kemi reaguar dhe kemi shfaq shqetësimin përmes shkresave por edhe deklarimeve publike lidhur me fenomenin e pandërprerë që po ndodhë që sa vite lidhur me futjen e bagëtive në oborrin e Spitalit nga personat e pandërgjegjshëm, si dhe me numrin e madh të qenve endacakë që rrezikojnë vizitorët dhe personelin tonë”, thuhet në reagimin për media.

Nga spitali po ashtu kanë thënë se futja e bagëtive më konkretisht numrit të madh të lopëve në oborrin e institucionit rrezikon në skajshmëri pacientët nga infeksionet, pengon mbajtjen e higjienës, shkakton dëme në bimët që janë kultivuar dhe ruajtur për vite, si dhe dëmton jashtëzakonisht imazhin e Institucionit.

“Personat e pandërgjegjshëm futjen e lopëve në oborrin e Spitalit e bëjnë duke dëmtuar rrethojat e oborrit apo formave tjera dhe me gjithë përpjekjet e punëtorëve teknik që zakonisht një nga ta duhet tërë ditën të merret me largimin e bagëtive nuk po arrihet që të parandalohet futja e këtyre bagëtive”.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë më tej ka deklaruar se në mënyrë të vazhduar për vite me radhë përmes shkresave, fotografive e videove ka kërkuar nga organet përgjegjëse: Inspektorati i Komunës së Pejës, Policia e Kosovës, Inspektorati Sanitar, AVUK-ut etj, që të ndërmerren masa ndaj pronarëve të këtyre bagëtive, por “është çudi e madhe se si dhe pse lejohen këta pronarë të mbajnë lopë në qytetit dhe atë nëpër rrugët dhe oborret e Institucioneve pa u penguar fare e mos të flasim për ndonjë konfiskim”.

“Përmes kësaj komunikate apelojmë edhe një herë tek të gjitha Institucionet e nivelit Komunal dhe atij Qeveritar që të na ndihmojnë duke marrë masa konkrete ndaj pronarëve të bagëtive dhe duke zgjedhur problemin e qenve endacak sepse kjo është pengesë e jashtëzakonshme për punën e Institucionit tonë shëndetësorë”, përfundon reagimi. /Telegrafi/