Lookman pritet të largohet nga Atalanta, shumë klube angleze pas tij

Ademola Lookman ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Ligës Premier, të cilat po përpiqen t’i marrin shërbimet e tij para Ateltico Madridit.
Anësori anglez ka pasur një sezon të shkëlqyer me Atalantën në Serie A, ku në edicionin 2024-2025 ka regjistruar 31 paraqitje, 15 gola dhe 5 asistime.
Këto statistika mbresëlënëse kanë ngjallur interes të madh në Angli. Nottingham Forest, Aston Villa dhe Tottenham janë disa nga klubet që po e ndjekin nga afër zhvillimin e situatës së tij.
Liverpooli gjithashtu e ka përfshirë Lookmanin në listën e dëshirave, nëse ndodhin largimet e pritshme të Luis Diaz dhe Federico Chiesas gjatë kësaj vere.
Edhe pse Atletico Madrid ka treguar interes më herët, klubet nga Liga Premier duken më të gatshme të ndërmarrin hapa konkretë për transferimin e tij.
Lookman është një lojtar i shpejtë, teknik dhe me aftësi për të bërë ndryshimin në fazën ofensive. Përvoja e tij në Angli i jep një avantazh në një rikthim të mundshëm në Ligën Premier.
Atalanta e vlerëson lart kontributin e tij, por nëse vjen një ofertë serioze mbi 50 milionë euro, nuk përjashtohet një largim gjatë kësaj vere. E ardhmja e tij mbetet e hapur, por një rikthim në Angli po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. /Telegrafi/




















































