LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Parku Inovacionit qendër e bashkëpunimit rajonal

Lluka: Parku Inovacionit qendër e bashkëpunimit rajonal

Me organizim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Kosovë po qëndron delegacioni i Odave Ekonomike Rajonale.

Delegacioni i përberë nga Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në ditën e sotme ka qëndruar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, prej ku janë diskutuar mundësitë për rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se po shohim mundësitë ky park të shndërrohet në park rajonal dhe të jetë shembull për industritë e tjera.


“Jo rastësisht jemi në Prizren një qytet multietnik. Qëllimi jonë është që nga afër të shohim infrastrukturën e kësaj qendre që është transferuar në menaxhimin e GIZ-it dhe ta kemi një park rajonal për të sjellë investime të ndryshme. Ideja jonë është që përmes këtij projekti ta promovojmë bashkëpunimin rajonal t’i kemi të gjithë akterët këtu dhe ky model të përdoret edhe në të ardhmen. Industritë që parashihen do të shërbejnë si modele për të gjitha industritë e tjera”.

Nikoqiri i këtij organizimi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi tha se investimet do çojnë përpara vendin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Sot jemi bashkërisht me kryetarët e odave të Ballkanit Perëndimor që veprojmë në forumin investiv të Ballkanit Perëndimor. Investimet e tilla mund të shtyjnë përpara zhvillime në mirëqenien tonë, në krijimin e vendeve të punës, në eksport etj”.

Në anën tjetër Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez tha se do të mundohen që të sjellin kompani që të investojnë në Kosovë.

“Jemi takuar në Beograd kemi folur shumë se si t’i tejkalojmë pengesat dhe të përqendrohemi në të ardhmen. Ne do të sjellim kompanitë më të mëdha nga rajoni për të diskutuar se si mund ta mbështesim këtë vend për ta shkruar fatin tonë të inovacionit kreativitet dhe teknologjive të reja”.

David Oberhuber, drejtor i GIZ-it në Kosovë, të cilët njëherit menaxhojnë këtë park, tha se nga mesi i këtij vitit do të fillojnë aplikimet për kompanitë që duan të investojnë në këtë qendër.

“Nuk do jemi të suksesshëm nëse nuk fillohet nga bizneset në rajon. Kemi marrë përsipër nga ushtarët gjermanë dhe për momentin vetëm po e mirëmbajmë objektin. Presim nga mesi i vitit që mund të publikojmë thirrjen e parë për aplikacione. Kemi një numër të madh të kompanive që kanë shfaqur interesim. Pas aplikacioneve do të shikojmë kompanitë që vijnë nga fushat e ndryshme”.

Në fund delegacioni ka vizituar ambientet e parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve për të parë nga afër infrastrukturën dhe mundësitë që i ofron ky park. /Telegrafi/