LAJMI I FUNDIT:

Lladrovci: Aktakuza që do të ngritet për Thaçin e Veselin e padrejtë

Lladrovci: Aktakuza që do të ngritet për Thaçin e Veselin e padrejtë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka quajtur të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për ngritje të aktakuzës ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lladrovci përmes një postimi në Facebook, është shprehur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet e pastër.


Ai tha se në kohën kur Kosova pret të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë erdh një lajm i padrejtë, ndërsa tashmë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen.

“Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë! Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë. Tashmë, të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen”, shkruan Lladrovci.

Kryetari i Drenasit u shpreh se asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit e Kosovës nuk do të ketë sukses.

“Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë. Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë”, shkruan Lladrovci.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë pritet të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në njoftimin për media thuhet se Thaçi dhe Veseli dyshohen për 100 vrasje. /Telegrafi/