Liverpooli synon të përforcohet në mbrojtje me një futbollist të Brentfordit

Liverpooli po e ndjek nga afër qendërmbrojtësin e Brentfordit, Nathan Collins, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar repartin defensiv përpara sezonit të ri, raporton GiveMeSport.
24-vjeçari irlandez ka bërë paraqitje mbresëlënëse që nga transferimi i tij nga Wolves te Brentford në vitin 2023, për një shumë prej 23 milionë funtesh.
Që nga ardhja në "Gtech Community Stadium", Collins është kthyer në një figurë kyçe për “The Bees”, duke fituar besimin e stafit dhe bashkëlojtarëve.
Ai është emëruar së fundmi kapiten i skuadrës, një sinjal i qartë i rëndësisë që ka për klubin, falë lidershipit dhe eksperiencës së tij në Ligën Premier.
Karakteristikat e tij si qetësia me topin, vendosja e mirë dhe prania fizike kanë tërhequr vëmendjen e skuadrës së rekrutimit të Liverpoolit, të cilët po vlerësojnë disa opsione në mbrojtje.
Megjithatë, një transferim në Anfield këtë verë duket i pamundur. Brentford nuk ka shprehur asnjë gatishmëri për ta shitur lojtarin, të cilin e konsideron pjesë kyçe të projektit afatgjatë.
Collins ka ende katër vite kontratë me klubin dhe nuk ka dhënë sinjale se dëshiron një largim, ndaj çdo lëvizje konkrete nga Liverpooli mbetet për t’u parë.
Vetëm një ofertë mbi 50 milionë euro e Liverpoolit mund të bëjë Brentfordin të ndryshojë mendje që ta lejoj largimin e kapitenit të tyre. /Telegrafi/



















































