Liverpooli në ofensivë totale për transferimin e Marc Guehit

Liverpooli ka nisur sulmin final për të siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit anglez të Crystal Palace, Marc Guehit.
'The Reds' kanë arritur marrëveshje për kushtet personale me lojtarin dhe tani pritet të ulen në tryezë me klubin londinez për të mbyllur gjithçka.
Ky operacion vjen në një moment kyç të afatit kalimtar, ku Arne Slot kërkon të forcojë repartin defensivë përpara mbylljes së afatit. Guehi është identifikuar si prioritet absolut për këtë verë.
Pjesë e llogaritjeve është edhe e ardhmja e Ibrahima Konates, që po monitorohet nga Real Madrid dhe Chelsea. Një largim i tij do ta bënte transferimin e Guéhit edhe më të domosdoshëm.
Mbrojtësi 25-vjeçar ka fituar reputacion të lartë në Ligën Premier falë stabilitetit dhe vendosmërisë së tij në fushë. Te Palace ka qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës dhe një lider i padiskutueshëm në prapavijë.
Sipas Fabrizio Romano dhe Nicolo Schira, Guehi ka dhënë miratimin e tij për të veshur fanellën e Liverpoolit dhe tanimë po pret dy klubet të gjejnë marrëveshje.
Shifrat që qarkullojnë flasin për rreth 40 milionë euro, një shumë që Crystal Palace mund ta pranojë për të lejuar largimin e një lojtari që ka zgjuar interesin edhe të skuadrave të tjera të mëdha.
Nëse marrëveshja finalizohet, Guehi do të bëhet një nga transferimet më të bujshme të verës në Angli dhe një shtyllë e re për mbrojtjen e Liverpoolit në sezonet e ardhshme. /Telegrafi/



















































