Real Madrid pritet të nisë një epokë të re këtë verë, pasi parashikohet që një trajner i ri të emërohet për të zëvendësuar Alvaro Arbeloan.

Njëkohësisht, priten lëvizje të rëndësishme edhe në skuadrën e parë, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Klubi madrilen planifikon transferimin e një qendërmbrojtësi dhe një mesfushori, por nuk përjashtohen as një ose dy shitje të mëdha.


Emra si Rodrygo Goes dhe Arda Guler vazhdojnë të lidhen me një transferim të mundshëm në Ligën Premier, ndërsa një tjetër lojtar që mund të përfundojë në Angli në fund të verës është Eduardo Camavinga.

Mesfushori francez, i cili gjatë muajve të fundit ka pasur vështirësi të sigurojë një vend të padiskutueshëm si titullar, është në radarët e Liverpoolit.

Sipas The Daily Briefing, bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit kanë nisur tashmë për një transferim të mundshëm veror në ‘Anfield’, ku Camavinga pritet të ketë një rol më të rëndësishëm në skuadër.

Liverpool tentoi ta transferojë Camavinga edhe gjatë këtij muaji, por u refuzua kategorikisht nga Real Madridi. Shpresa e klubit anglez është që një marrëveshje të jetë më e realizueshme gjatë verës, me një shifër që varion nga 80 deri në 100 milionë euro.

Interesimi i Liverpoolit për Camavinga ka qenë i vazhdueshëm, dhe ata synojnë të përfitojnë nga rënia e rolit të tij në Madrid duke e joshur me një kalim në Merseyside.

Megjithatë, një marrëveshje nuk do të jetë e lehtë, pasi nuk ka garanci që lojtari dëshiron të largohet, duke qenë se ai ka shprehur më herët kënaqësinë e tij për jetën dhe karrierën në kryeqytetin spanjoll./Telegrafi/

telegrafi sport app