LAJMI I FUNDIT:

Limaj në ditën e të moshuarve premton pensione dinjitoze

Limaj në ditën e të moshuarve premton pensione dinjitoze

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, njëherësh kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Famir Limaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve , deklaroi se në këtë ditë theksohet rëndësia e avancimit të mirëqenies së përgjithshme të kategorisë së moshës së tretë.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, Limaj ka shkruar se, të moshuarit nuk kanë gëzuar sa duhet përkrahje nga shteti, deri në kohën kur NISMA ka marrë përgjegjësitë e saj në qeverisjen aktuale.


Sipas Limajt, një nga objektivat kryesore të Nismës është paketa sociale e cila parasheh reformën pensionale, me theks të veçantë sigurimet sociale.

“Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve dhe në këtë ditë theksojmë rëndësinë e avancimit të mirëqenies së përgjithshme të kategorisë së moshës së tretë.

Në Kosovë, të moshuarit nuk kanë gëzuar sa duhet përkrahje nga shteti, deri në kohën kur NISMA ka marrë përgjegjësitë e saj në qeverisjen aktuale.

Nën drejtimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nga ministri Skender Reçica, pensionistët në Kosovë më në fund kanë nisur të ndjejnë dorën e përkujdesit nga shteti.

Një nga objektivat kryesore të Nismës është paketa sociale e cila parasheh reformën pensionale, me theks të veçantë sigurimet sociale. Po aq e rëndësishme është edhe realizimi zotimit tonë për sigurimin shëndetësor, që me jetësimin e tij do të ketë lehtësira të shumta për të moshuarit tanë.

Me reformën rrënjësore në fushën e pensioneve, të cilën e kemi filluar vitin e kaluar, pensionistët e të gjitha kategorive do të trajtohen dinjitetshëm.

Ne do të angazhohemi fuqishëm që në Qeverinë e ardhshme të finalizojmë reformën e nisur, me qëllim që të gjitha kategoritë e të moshuarve në Kosovë të gëzojnë trajtim të duhur dhe mirëqenie më të mirë”, shkruan Limaj./Telegrafi/