LAJMI I FUNDIT:

Ligji për spiunët në Shqipëri, BE kërkon që amendamentet të jenë në përputhje me Komisionin e Venecias

Ligji për spiunët në Shqipëri, BE kërkon që amendamentet të jenë në përputhje me Komisionin e Venecias

Në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë po mbahen diskutime në lidhje me dy projektligje të propozuara nga Partia Socialiste dhe që kanë të bëjnë me pastërtinë e figurës së personave që ushtrojnë funksione publike si dhe ligjin për partitë politike, ku preket dhe “despiunizimi”.

Në lidhje me këto dy nisma, Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hofmann, i ka dërguar një letër Komisionit të Ligjeve, ku i kërkon që amendamentet të jenë në përputhje me kriteret e vendosura nga Komisioni i Venecias.


“Në këtë kontekst, do të doja të sugjeroja që komisioni për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut të sigurojë që nismat aktuale ligjore janë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret kryesore të nënvizuara nga komisioni i Venecias në opinionet e tij të përmendura më sipër dhe të përmbajnë të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme”, thuhet në letrën e ambasadores së BE-së.

Në lidhje me letër reagoi dhe deputeti i partisë demokratike Gazment Bardhi, i cili theksoi nevojën që nismat e qeverisë kanë që të jenë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

“Ju keni marrë një letër nga delegacioni i BE, ku ambasadorja e delegacionit, i ka drejtuar kryetares së Komisionit lidhur me dy ligjet e propozuar nga PS.

Në letër iu bëhet me dije që kjo çështje lidhet me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë do të duhet që ky komision ti referohet standardeve që ka vendosur Komisioni i Venecias në dy opinionet të tij. Në opinionin e vitit 2019 për ligjin e lustracionit të asaj kohe dhe në opinionin e vitit 2018 kur është propozuar vetingu në politikë dhe kërkohet që për të dyja iniciativat, jo vetëm të mbahet në konsideratë, por të sigurohet që janë përmbushur standardet e Komisionit të Venecias.

Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne ti drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave”, tha Bardhi. /Telegrafi/