LAJMI I FUNDIT:

Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Sanxhaku sipas dokumenteve britanike

Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Sanxhaku sipas dokumenteve britanike
Ilustrim: Prizreni më 1943, gjatë vizitës së gjeneralit italian Alberto Pariani

Nga: Haqif Mulliqi

Një pjesë tjetër e “Ekstrakteve nga Kosova” e Foreign Office-it britanik, është ajo që merret më shtruar edhe më një ngjarje të fillimvitit të dyzetekatërtës, pra me Mbledhjen e Përgjithshme të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e cila u organizuar më 17 janar të këtij viti të ngjarjeve dhe të kthesave të mëdha historike në gjithë botën.


Pas një përshkrimi interesant që i bëhet kësaj ngjarjeje, që është vazhdimësi e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1987, e që ruan po atë aspiratë, thuhet në këtë pjesë të dosjes, në vazhdim do të sjellim një si raport mjaft të qartë dhe të ngjeshur mbi rrjedhat e këtij kuvendimi të fillimvitit të ’44-tës.

Kështu, në fillim të këtij dokumenti, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe bënë të njohur faktin se këtë kuvend e hapi me një fjalim të gjatë dhe të ngjeshur dhe plot emocion Musa Shehu, kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes, ndërsa fjalimin inaugurues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e mbajti Kolë Margjini.

Raportuesi thotë se në vazhdim, për gjithë çfarë ka bërë Komiteti Qendror i Lidhjes që nga 15 janari i vitit 1943 e deri në ditën e mbajtjes së këtij kuvendi, para delegatëve të pranishëm raportoi Sulejman Aliu përndryshe sekretar i Komitetit Qendror të lidhjes.

Më pas, me vazhdimin e punës së këtij kuvendi, sipas këtij dokumenti, i cili i referohej burimit të vetë pjesëmarrës në punimet e tija, thuhet se, njëra prej figurave të shquara dhe më me ndikim ndër shqiptarët në këtë periudhë, Bedri Pejani “Babushi”, në mënyrë unanime, u zgjodh kryetar ndërsa Bedri Gjinaj sekretar.

Këtu raportuesi sjell këtu edhe një pjesë të fjalimit të një personaliteti shumë të shquar të nacionalizmes shqiptare, Tahir Zajmi, një pjesë të cilit fjalim po e sjellim në vazhdim:

“Zotëri kryetar dhe delegatë, sikur e dimë të gjithë, para katër muajsh u themelua Lidhje e Dytë e Prizrenit. Njëra prej detyrave më të rëndësishme të saj, do të thotë, deklarata e popullit të Kosovës dhe të Dibrës, për të jetuar me vëllezërit tjerë, ka filluar të realizohet; në anën tjetër, në aspektin ushtarak ende duhet realizuar shumë gjëra. Në këtë mbledhje ne duhet të diskutojmë dhe të shqyrtojmë çështje të rëndësishme, sikurse janë statuti dhe programi i aktiviteteve të Komitetit Qendror. Unë propozoj që në diskutim të marrin pjesë edhe dëgjuesit, gjegjësisht të pranishmit, sepse mendimi tyre mund të jetë i vlershëm, falë gjykimit të shëndoshë dhe përvojës në çështje të tilla.”

Sipas sajuesit të këtij dokumenti, mbledhja e 17 janarit të vitit 1944 e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u ndërpre në orën 12 e 15 minuta, për të vazhduar të nesërmen, do të thotë më 18 janar në ndërtesën e shkollës “Bajram Curri” në këtë qytet. Në vazhdim të këtij kuvendimi, pas thirrjes së emrave të delegatëve pjesëmarrës në mbledhje, u lexua statuti i organizatë si dhe u zgjodh një nënkomitet i cili kishte për detyrë që ta modifikonte këtë statut në bazë të kushteve dhe rrethanave të kohës dhe të njëjtin ta prezantojë në mbledhjen e pasdites me qëllim të aprovimit të tij. Ky nënkomitet po përbehej nga: Bedri Pejani, Rexhë Meta, Sylejman Riza, Esad Berisha, Sokol Dobroshi, Tahir Zajmi, Nexhip Basha, Kolë Margjini dhe Adem Sabriu.

Kështu, pas drekës, thotë i njëjti dokument, statuti u shqyrtua deri në detaje dhe u aprovua me anë të paragrafit, ndërsa mbledhja vazhdoi të nesërmen në mëngjes. Në mbledhjen e 19 janarit, profesori i shquar Bedri Pejani, tashmë kryetari Komitetit do ta nxjerr propozimin që Komitetit Qendror duhej shtuar edhe një anëtar që të përmbushej numri statutor prej dymbëdhjetëve. Dhe, sipas Pejanit, anëtari i dymbëdhjetë, domosdoshmërish do të duhej të ishte nga Hoti, Ulqini, Triepshi dhe Gruda, propozim i cili nuk u diskutua por që u pranua menjëherë nga delegatë e kuvendit madje në mënyrë unanime.

Gjithashtu më 19 janar u zgjodh edhe një nënkomitet i cili kishte një detyrë që ta bënte aprovimin e këtyre anëtarëve, që në mbledhjen e ardhshme. Në përbërje të këtij komiteti u zgjodhën: Bedri Pejani, Musa Shehu, Nexhip Basha, Kolë Margjini, Musa Boletini Hasan Agë Zvezda si dhe Tahir Zajmi.

Bedri pejani thoshte se shqiptarët e kërkonin Sanxhakun, jo për shkak të ambicieve imperialiste

Në mbledhjen në vazhdim, gjithnjë sipas këtij dokumenti, pra më 20 janar të vitit 1944 u bë prezantimi i listës së anëtarëve me sa vijon:

– Për prefekturën e Prizrenit: Musa Shehu dhe Kolë Margjini;

– Për prefekturën e Prishtinës: Sylejman Askiu dhe Mahmut Beg Pasha;

– Për prefekturën e Mitrovicës: Arsllan Boletini;

– Për prefekturën e Pejës: Bedri Pejani dhe Xhevat Begolli;

– Për prefekturën e Dibrës: Ekrem Jegeni dhe Adem Sabriu;

– Për prefekturën e Shkupit: Esat Berisha;

– Për prefekturën e Sienicës: Nexhip Basha;

– Për prefekturën e Maleve të Kosovës përfaqësues do të ishte Rexhë Meta, derisa nuk do të arrinte delegati i kësaj prefekture;

– Për prefekturën e Hotit, të Ulqinit, të Triepshi dhe të Grudës pritej një përfaqësues.

– Për prefekturën e Tetovës dhe të Gostivarit: Kadri Saliu;

– Për zonën neutrale të Sienicës: Nexhip Basha.

Pas zgjedhjes të këtyre anëtarëve të rinj, kryetar u zgjodh profesori Bedri Pejani fjalimin e të cilit po e sjellim në vazhdim, me vërejtjen se fjalim është përkthyer nga gjuha angleze dhe se në aspektin dialektikor nuk përkon me të folurën e Pejanit në Kuvend:

“Unë do t’u flas për nju çështje shumë të rëndësishme dhe delikate për vendin tonë, çështjen e Sanxhakut. Sanxhaku është një korridor në mes të Serbisë dhe të Malit të Zi. Para luftës së vitit 1876-1877, ky korridor administrohej nga Vilajeti i Kosovës. Ky territor është i pasur me bagëti, dru dhe prodhime qumështi, ndërsa Kosova prodhon grurë dhe gjëra të ndryshme ushqimore, kështu që këto territore kompletonin ose plotësonin nevojat e njëra-tjetrës, pra ishin të lidhura komercialisht për një kohë të gjatë. Gjatë pushtimit otoman, Sanxhaku ishte i banuar nga shqiptarët (që përbënin shumicën), kështu që ekziston një afërsi sentimentale me Kosovën. Popullata e këtij territori përbëhet gjithashtu nga shqiptarët e sllavizuar dhe nga disa sllav të fesë islame (myslimane). Duke qenë të një feje si edhe shqiptarët, ata janë bashkuar dhe kanë bashkëpunuar gjatë luftës kundër serbëve dhe malazezëve deri më tash. Prandaj, arsye etnike, ekonomike dhe fetare kjo popullatë, e përbërë nga shqiptarët dhe boshnjakët, kërkon që t’i bashkohet Shqipërisë. Për këtë arsye ne, shqiptarët, e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë që të na bashkohen. Arsye tjetër për qëndrimin tonë ndaj tyre është se ky territor shtrihet në mes të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, ku jeton një popull mik i cili kufizohet me kroatët të cilët kanë gjithashtu nju simpati për ne. Ndaj dhe, territori i Sanxhakut është i rëndësishëm për ne si një lidhje me popujt miq të Bosnjës, Hercegovinës dhe të Kroacisë. Ne e kërkojmë Sanxhakun, jo nga ambiciet imperialiste, por për shkak të shumë arsyeve të lartpërmendura dhe, mbi të gjitha, për shkak të të drejtës së vetë popullit për të zgjedhur. Serbët dhe malazezët janë vetëm një minoritet në këtë territor dhe ne do t’ua japim atyre të gjitha të drejtat që u takojnë. Populli shqiptar i këtyre ditëve është më i fuqishëm se gjatë luftërave ballkanike sepse ka përfituar përvojë dhe njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur të drejtat e tija. Unë tash p[propozoj që të kërkojmë nga qeveria shqiptare aneksimin e këtij territori të pastër shqiptar, duke përshirë edhe tërë anën e Limit. Është detyrë e qeverisë që të marr masa të duhura për një aneksim të tillë”, përfundon këtë pjesë të fjalimit të tij një prej figurave më të shquara dhe më emblematike shqiptare të shekullit XX, Bedri Pejani

Përfaqësuesi i Sanxhakut: Ky vend gjithmonë i ka takuar Kosovës

Më pas, në vazhdim të kësaj dosjeje, raportuesi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, pjesëmarrës në këtë kuvend, si të një natyre të veçantë, e shquan edhe fjalimin e Hasan Agë Zvezdës i cili p[pikërisht në kuvend vinte nga zona e Sanxhakut, të cilin fjalim po e sjellim në vazhdim të këtij artikulli.

Hasan Agë Zvezda: “Zotëri kryetar dhe delegatë, gjatë këtyre katër ditëve të Kongresit unë nuk kisha guxim ta ngisja zërin sepse, duke ardhur nga zona neutrale, e ndieja veten si i huaj, por, pasi dëgjova fjalimin e kryetarit dhe të shumë anëtareve të tjerë, mora guximin që të flas dhe të shpreh aspiratat e vendit të cilin e përfaqësoj: Sanxhaku nuk ka qenë asnjë herë territor serb apo malazias. (Duartrokitje). Siç e vutë në pah Ju dhe si e dëshmon edhe historia, Sanxhaku gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës. Ne, banorët e Sanxhakut, kemi luftuar gjithmonë kundër serbëve dhe malazezëve dhe, kështu, kemi treguar ku janë kufijtë tanë. Ne asnjë herë nuk e kemi toleruar Titon e as Mihajlloviqin, bile edhe tash, kur ne po diskutojmë këtu, bijtë tanë e luftojnë armikun i cili na sulmoi para disa kohësh. Ne, gjithashtu jemi ankuar edhe në Ju, meqenëse, deri më tash, nuk keni bërë aq sa duhej bërë për ne, mirëpo ne do ta harrojmë këtë dhe do të kërkojmë nga qeveria dhe nga Ju që të ndërmerrni masat e duhura për t’u bashkuar në një shtet të vetëm dhe që të zhduken të gjitha dyshimet që ekzistojnë mes nesh. Ne e kemi luftuar armikun po aq sa edhe Ju, në mos më shumë se Ju, e, në anën tjetër, ne e kemi vënë re se nuk lejohet që ushqimi të kalojë lirisht nga Kosova në zonat tona. Edhe prodhimet tjera po na ndalohen kështu që ne po vuajmë nga çmimet e larta më shumë se Ju. Këto janë tri pikat të cilat, në emër të popullit tim, unë po kërkoj që të rregullohen nga qeveria si dhe nga Ju të këtij Kongresi”.

Më pas, në dosjen e Ministrisë së Jashtme Britanike nga raportuesi i ngjarjes për nevojat e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, vihen në pah edhe vendimet e rëndësishme që u arritën në këtë Kuvend e të cilat ishin me sa vijon:

– Komitetin Qendror i Lidhjes do të kërkojë nga qeveria në formë të shkruar që të trajtojë më seriozisht çështjen e Sanxhakut dhe ta zgjidh atë në favor të Shqipërisë.

– Kërkohet që qeveria të marrë të gjitha masat për largimin e trupave bullgare nga Prespa, nga Shën Naumi si dhe nga tetë fshatrat e Kërçovës, që u pushtuan nga Bullgaria menjëherë pas kapitullimit të Italisë.

– Kërkon nga qeveria që të ndërmarrë të gjitha masat në mënyrë që prefektura e Mitrovicës t’i bashkohet pjesës tjetër të Shqipërisë.

– Edhe qeveria, edhe Komiteti qendror duhet përpjekur që të të konsolidohen pozitat tona në Plavë dhe Guci, duke forcuar administratën civile dhe ushtarake dhe duke ndërtuar depo të mëdha për armë, municion dhe ushqime. Elementi malazias duhet shpjer në Mal të Zi.

– Qeveria duhet t’i regjistroi të gjitha armët dhe duhet të ndërtojë depo armësh, municioni dhe ushqimi në të gjitha pjesët e Kosovës si dhe rrethinat e çliruara të Shkodrës.

(a) Lidhja do të kërkojë nga qeveria që me nguti t’i ndërtojë këto rrugë të rëndësishme:

– Tiepsh-Guci, 40 kilometra

– Radavc-Rozhajë, 12-15 kilometra

– Prizren-Tetovë 40 e më shumë kilometra

– Kolesian-Peshkopi, ?km

(b) Ndërmjet Kosovës dhe pjesëve tjera të Shqipërisë duhet konstruktuar apo edhe përmirësuar lidhjet telefonike.

(c) Duhet hapur më shumë shkolla fillore në të gjitha zonat e çliruara dhe në veçanti në prefekturën e Mitrovicës.

(d) Në bashkëpunim me qeverinë, Lidhja duhet të bëjë përpjekje për të eliminuar spekulimet në transportin e ushqimeve, si dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm.

(e) Të lejojë transport të lirë ndërmjet shtetit amë dhe të ashtuquajturave zona neutrale, të zonave që përbëjnë prefekturën e Mitrovicës dhe nënprefekturën e Kaçanikut. /Telegrafi/