LAJMI I FUNDIT:

Libri i Hitlerit, me shitje rekorde në Poloni

Libri i Hitlerit, me shitje rekorde në Poloni

Pesë vjet pas botimit gjermanisht të librit “Mein Kampf” (nga Instituti për Historinë Bashkëkohore – IfZ në Munih), vjen një botim tjetër shkencor i këtij libri në Poloni.

Shitja ishte planifikuar të fillonte më 20 janar në Poloni, por në shumë librari botimi i ri gjendej ditë më parë.


“E kishim ‘Mein Kampfin’ që të shtunën në ofertë. Të gjithë librat u shitën. Shefi do duhet të sjellë një kontingjent të ri. A t’iu vë në listë pritjeje?”, thotë një shitëse në librarinë “Eureka” në lagjen Saska Kepa të Varshavës.

“Ka pasur shumë porosi që më parë në internet. Edhe shitësit e shumicës marrin më shumë ekzemplarë se më parë”, thotë Boguslaw Kubisz, zëvendëskryeredaktor i shtëpisë botuese “Bellona”. Shtëpia e tij botuese është e specializuar për temat historike nga Lufta e Dytë Botërore dhe guxoi të merrej me këtë projekt. “Ne kishim për botim, në fillim, 4 000 kopje. Por, duket se shpejt duhet të printojmë botimin e dytë”.

Kjo nuk është aq e vetëkuptueshme në vendin që në vitin 1939 ishte viktimë e pushtimit nazist dhe që gjatë luftës humbi më shumë se gjashtë milionë vetë, gjysma e tyre hebrenj. Pikërisht për këtë arsye, shtëpia botuese nuk kishte bërë asnjë reklamë për këtë botim. Çmimi është 36 euro (149 zllotë), një çmim i lartë për polakët.

“Bellona” kishte menduar fillimisht të përkthente botimin kritik-shkencor të “Mein Kampfit”. Por, në fund, me botimin u ngarkua historiani Cezary Eugeniusz Krol, njohës i vlerësuar i Rajhut, i cili ka bërë mjaft publikime për propagandën naziste dhe ka botuar edhe ditarët e ministrit të propagandës të Hitlerit, Joseph Goebbels. Në vitet 2002-2006 ai drejtoi degën polake të Akademisë së Shkencave në Berlin.

Krol ka punuar tre vite me përkthimin dhe me botimin kritik që përmban 2000 shënime plotësuese. Ai ka shkruar edhe hyrjen e librit në të cilën në 60 faqe shpjegohet historia e lindjes së librit të Hitlerit dhe recepsioni që iu bë në Rajhun e tretë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Libri i Hitlerit duhet kuptuar si paralajmërim. Njerëzit duhet të kuptojnë se sa shpejt mund të çmontohet një sistem demokratik dhe të kalojë në një diktaturë”, shpjegon Krol. “Kjo mund të ndodhë kudo edhe sot në botë, nesër apo pasnesër, nëse nuk jemi vigjilentë”.

Krol e pranon se kolegët e tij janë të ndarë për botimin e librit.

“Kundërshtarë të projektit më thonë: mos u merr me të; ti fyen kështu viktimat e nazizmit dhe familjet tyre; forcon ekstremistët e djathtë dhe duhet të llogarisësh edhe me pasoja penale. Mos e rreziko emrin e mirë”, kujton historiani.

Por, ai nuk hoqi dorë.

“Dikush duhet ta bënte këtë”, thekson ai.

Një botim shkencor kishte kohë që duhej bërë, në një kohë që në Poloni ka pasur në vitet 1990 dy botime ilegale, të dyja mbi bazën e një botimi të shkurtuar anglisht dhe pa asnjë koment shkencor.

“Libri i Hitlerit konsiderohej si ‘fruti i ndaluar’, prandaj kishte ardhur koha që të çmitizohej kjo ‘vepër’”, argumenton Król.

Kolegu i tij nga Breslau, Krzysztof Ruchniewicz, e sheh me skepticizëm projektin.

“Gjë e mirë që ‘Mein Kampf‘ është botuar në Poloni nga një historian profesionist”, thotë ai. Por për të do ishte më mirë që të përkthehej botimi gjerman i IfZ-së, një botim shembullor, sipas tij. “Për pak vjen botimi frëngjisht në treg. Shtëpia botuese polake duhej të kishte ndjekur këtë rrugë.”

Ai kritikon edhe kopertinën e librit.

“Titulli me të zeza në sfond të kuq bie ne sy në vitrina, por më pëlqen më shumë ngjyra gri në gjermanisht”, thotë historiani. “Aty ka shumë reklamë. A duhet kjo?”, pyet drejtori i Qendrës “Willy Brandt” për Gjermaninë dhe Studimet Evropiane në Universitetin Wroclaw. Vetë autori Krol shpreson për debate mes kolegëve dhe me lexueset e lexuesit. Por, për shkak të pandemisë aktivitetet e planifikuara janë shtyrë. /DW/