Drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani në një konferencë për media bëri të ditur se IKSHPK me vëmendje po e përcjell situatën epidemiologjike të Lisë së Majmunëve, ndërsa tha se rreziku nga kjo në Kosovë është i ulët.

Ramadani në konferencën për media me zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se deri tani në botë janë raportuar mbi 176 raste, ndërkaq bëri të ditur se IKSHPK ka përpiluar tashmë dokumentin e parë me rekomandime dhe masat që duhet ndërmarrë.

“IKSHPK po përcjell me vëmendje epidemiologjinë e Lisë së Majmunëve që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në SHBA, Evropë, Izrael, me mbi 176 raste të raportuara deri tani. Duke pas parasysh që kjo sëmundje e ka djepin në Afrikë, dalja e sëmundjes në kontinentet tjera paraqet brengë dhe njëherit sfidë për përcjelljen e sëmundjes në vendin tonë. Departamenti i Epidemiologjisë në Institutin Kombëtar po përcjell çdo ditë situatën epidemiologjike në Republikën e Kosovës dhe në botë dhe deri tani paraqitet një rrezikshmëri tejet e ulët…”, ka thënë Ramadani.

S’ka të infektuar në Kosovë, zëvendësministrja Gexha: Rreziku që Lia e Majmunëve të shfaqet është real, rastet e para janë konfirmuar në rajon S’ka të infektuar në Kosovë, zëvendësministrja Gexha: Rreziku që Lia e Majmunëve të shfaqet është real, rastet e para janë konfirmuar në rajon

Ai po ashtu tregoi se ekipet epidemiologjike janë në gatishmëri të plotë dhe në përcjellje të sëmundjes dhe shfaqjes eventuale të ndonjë rasti të dyshimtë.

“IKSHPK ka përpiluar tashmë dokumentin e parë me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së Lisë së Majmunëve, i cili është shpërndarë në të gjitha institucionet shëndetësore dhe do të përditësohet me të dhëna të reja çdo ditë. IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës nuk është raportuar asnjë rast sa i përket Lisë së Majmunëve. Vaksina ende nuk është e disponueshme…”, ka thënë Ramadani.

I pyetur për rrezikun nga ardhja e mërgimtarëve, ai tha se nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm. “Rreziku është i përgjithshëm. Nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm për ardhjen e bashkatdhetarëve, ata janë të mirëseardhur…”. /Telegrafi/