LAJMI I FUNDIT:

Lexuesit, të lumturit

Lexuesit, të lumturit

Nga: Preç Zogaj

Për lexuesin e librit, apo Leximtarin, mund të citohen e thuhen pafund shprehje dhe cilësorë që tregojnë rangun e tij të lartë, rëndësinë e tij për fatin e letërsisë, përftimet e tij nga leximi, gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore gjatë leximit dhe pasi e ka mbaruar librin. Libër i cili e mban të mbërthyer lexuesin dhe të cilin lexuesi e çon përpara si ngjitjen në një mal, me vetëdijen se leximi kërkon energji, përqendrim, impenjim gjithashtu. Ekziston në fakt një prerje e artë e cila mbetet për t’u gjetur me instinkt nga vetë lexuesi dhe kjo është prerja midis forcës tërheqëse të vetë librit dhe forcës shtytëse të vetë lexuesit- e gjitha kur kemi të bëjmë me një libër që perceptohet që në krye si një libër i mirë apo është certifikuar si i tillë nga kritikë dhe lexues të mëparshëm.


Mund të hartojmë pra një fjalorth me fjalët që japin regjistrin e pasur të efekteve të leximit, por kam përshtypjen se mes tyre është një fjalë kyçe që i përfshin apo i prek të gjithë lexuesit dhe kjo fjalë është lumturia. Te lexosh është të lumturohesh. Vetë lumturia-dihet- është një nocion i përcaktimeve të hapura dhe kundërthënëse ndonjëherë. Në rastin e leximit kuptimi i lumturisë është një mbushje shpirtërore me të cilën je mësuar ose mësohesh dhe pa të cilën jeta kushedi si do të dukej. E varfër po se po. Por, edhe më shumë se kaq, deri e pakuptimtë, nëse marrim parasysh sentencat e atyre që e kanë barazuar të lexuarit me të jetuarit. (“Lexoni për të jetuar”, thoshte shkrimtari francez Gustav Flober).

Dua të ndaj me shokët dhe shoqet e leximit një njoftim që besoj se është edhe i tyre: nga gjërat më të mrekullueshme që më ka ndodhur në jetë – dhe nuk se më kanë ndodhur shumë – është takimi me librin, të rënët në dashuri me librin, vartësia nga libri, bashkudhëtimi me librin, jeta e pandarë me librin, natën, ditën, kurdoherë. Është ëndrra për të mbërritur në një gji të qetë të jetës, i çliruar nga detyrimet e prindit dhe impenjimet e punës , ku të kem mundësi të lexoj dhe vetëm të lexoj libra të palexuar, që janë shumë, që s’kam mundur t’i gjej, që nuk i njoh akoma por e di se janë; të rilexoj libra që më kanë mahnitur dhe disa të tjerë që i kam lexuar shpejt me mendimin për t’ju rikthyer me nge në kohën e plotë të leximit, deri në frymën e fundit, pa e shtruar fare përse do më duhej përmbajtja e tyre në atë botë.

Nuk mund ta datoj kur ndodhi ky takim dhe besoj se është një gjë e padatueshme për çdo lexues. Ndodhi dhe s’ndaloi asnjëherë. Të lexuarit më ka ndihmuar të rri vetëm dhe njëkohësisht të mos jem asnjëherë i vetmuar, të duroj fyerjet e të keqen e të mos poshtërohem… Të lexuarit me ka dhuruar përndritjen, tronditjen, dhimbjen, vuajtjen për të tjerët, shkëputjen për pak çaste apo shumë çaste nga barra, trysnia dhe hidhësitë e së tashmes rreth e rrotull, daljen nga koha, siç thotë Borges, duke më zhvendosur në një prezente të një lloji tjetër, të pastër dhe sovrane, të përjetshme, të stakuar nga e shkuara dhe e ardhmja sipas kuptimit që i japin në jetën e përditshme. Ky është “ylli” i letërsisë, është qielli ku të hedh herëpashere të lexuarit. Dëshëroj ta ilustroj këtë përjetim me poezinë “Mbarimi i librit”, që mbyllet kështu: E mbarova. Jam shumë i prekur/ Rrethi metalik i orës më fton të futem/ në kohën që vjen e shkon e kurrë s’pakësohet/ Të pi ujë/ Të thith pluhur/ të vras mendjen…/ Sapo jam kthyer nga arti i madh/ Jam ende hyjnor dhe pak minuta.

Në fakt të lexoj ka qenë dhe është për mua më e bukur dhe më e rëndësishme se të shkruaj. Përpara unit tim jam njohur në autosqimën e lexuesit pikësëpari dhe jam gëzuar kur një raport të tillë me leximin e kam gjetur në rrëfimet e shkrimtarit të madh argjentinas, Borges , që i thoshte gazetarit me të cilin bisedonte se dyshonte a ishte poet (ai që është ndër tre-katër poetët më të mëdhenj të shekullit XX!), por ishte i kënaqur që kishte qenë një Lexues. Borges është një shkrimtar që ka shkruar e folur për shumë autorë dhe vepra letrare. Duhet të jetë pikërisht kulti i libri dhe leximit që i shtyn një kategori krijuesish të shkruajnë shpesh shkrime për libra dhe autorë të tjerë. Ky kult më ka shtyrë e më shtyn dhe mua të shkruaj me dhjetëra, në mos qindra shkrime për librat që lexoj. E prapë, jo aq shumë sa do të doja. Sepse duke shkruar për një libër që të ka pëlqyer të duket sikur e rilexon atë, kësaj radhe në palimpsetin e mbresave që të ka lenë.

Shumica dërmuese e librave artistikë të mësojnë diçka, të hapin mendjen, mbi të gjitha të japim kënaqësi shpirtërore, të prarojnë me bukurinë e tyre, të lënë mbushjen e asaj që më lart e quajta lumturi: lumturi edhe për paskajshmërinë e fuqisë krijuese . Duhet ta nënvizojmë, nëse nuk e kemi thënë edhe më lart- s’prish punë nëse e përsërisin: Nuk është fjala për çdo lloj libri. Fjala është për libra – në poezi a prozë,- të shkruar me cilësi të lartë. Fjala është për libra që nuk e lenë lexuesin të njëjtë me çfarë ishte para se t’i lexonte. Librat që nuk prekin asnjë nerv dhe nuk gërvishtin asnjë plagë janë të falimentuar, siç thoshte Emil Cioran. Nuk jam unë që e them, por jam dakord me ata që e kanë thënë: në kuptimin metaforik të fjalës, por jo metaforik në përjetimin e veprës letrare, të shkruash është të japësh gjak. Kjo i diferencon librat artistikë nga librat linearë të konsumit për konsum që nuk provokojnë asnjë emocion e jo më një ngritje të diafragmës gjatë leximit.

Të lumturit lexues kanë qenë, janë e do të jenë sipas meje një komunitet individësh të lirë, jo të shumtë në numër, që takohen, shihen e njihen në librari, në komunikimet për librat që lexojnë, në epërsinë e leximit. Mund ti shohim e ti dallojmë edhe në panairin e librit, megjithëse mjaft prej tyre, paradoksalisht, nuk e frekuentojnë shumë këtë lloj pazari të librit, duke ua lënë radhën, bujarisht do të thosha, një tipi të ri lexuesi, tipit korporativ, që shkel pak ose nuk fare shkel në librari gjatë vitit, që pëlqen të fotografohet me një libër në dorë që ndoshta edhe do ta lexojë. Mirë, sa më shumë le të ketë të tillë. Disa prej këtyre dashamirëseve mund të fillojnë të lexojnë libra artistikë të nobelistëve dhe autorëve të mëdhenj që në vendin tonë rrallë shiten më shumë se dy- tre mijë kopje. Por kaq Leximtarë i kemi ama. Nuk janë shumë, por as pak nuk janë.