E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona është drejt fundit. Klubi katalanas ka vendosur të mos e mbajë më sulmuesin polak si titullar për sezonin e ardhshëm, ndërsa lojtari po kërkon një skuadër të re për të mbyllur karrierën.

Sipas mediave polake, Atletico Madrid po shihet si destinacioni më i mundshëm për 37-vjeçarin, që dëshiron të qëndrojë në La Liga edhe pas largimit nga “Camp Nou”.


Barcelona sezonin e kaluar fitoi tripletën vendase dhe arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, me Lewandowskin që pati rol kyç në sukseset e ekipit falë golave të shumtë.

Megjithatë, paga e tij e lartë dhe situata ekonomike e vështirë e klubit kanë bërë që drejtuesit të mos e përfshijnë më në planet afatgjata. Tani, po shqyrtohet nëse ai do të shitet në Arabinë Saudite apo do të largohet si lojtar i lirë.

Gazetari polak Mikolaj Swiecicki ka raportuar se Atletico Madrid e ka futur në listën e dëshirave, duke kërkuar të përsërisë suksesin e dikurshëm me yje si David Villa dhe Luis Suarez, që fituan La Ligën me “Colchoneros”.

Nëse transferimi ndodh, do të jetë një goditje e fortë për Barcelonën, pasi një nga sulmuesit më të mirë të dekadës së fundit do t’i bashkohej një rivali të drejtpërdrejtë në Spanjë.

Sezonin e kaluar, Lewandowski zhvilloi 52 ndeshje në të gjitha garat, duke luajtur mbi 3,900 minuta, me 42 gola dhe 3 asistime, duke treguar se mbetet ende një garanci për golin edhe në moshën 37-vjeçare. /Telegrafi/