LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja Fol: Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë kushtoi mbi 4 milionë euro më shumë

Lëvizja Fol: Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë kushtoi mbi 4 milionë euro më shumë

Lëvizja Fol ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës se në mënyrë joligjore ka nënshkruar katër aneks-kontrata me operatorë ekonomikë në vlerë mbi 4 milionë euro për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, ndërsa i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë Speciale që të fillojë hetimet lidhur me projektin.

Në një konferencë për media, koordinatori i projektit nga Fol, Elbasan Racaj tha se aneks-kontratat janë nënshkruar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.


Sipas tij, kjo autostradë e paparaparë me plan financiar, e cila që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi, po i kushton buxhetit të Kosovës mbi 93 milionë euro.

“Lëvizja Fol e ka bërë monitorimin e të gjithë procesit të ndërtimit të auto-udhës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, e cila që nga fillimi është përcjellë me shumë parregullsi dhe i cili buxhetit të Kosovës i ka kushtuar mbi 88 milionë euro. Nga monitorimi që ka bërë Lëvizja Fol kemi hasur në katër aneks-kontrata që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me katër operatorë ekonomikë, të cilët ishin ndër fituesit e tenderit për ndërtimin e 22 kilometrave të kësaj auto-udhe. Gjatë vitit 2019, kjo auto-udhë e paplanifikuar financiarisht pra e paparaparë me plan të prokurimit për vitin 2018, po i kushton buxhetit të shtetit 93 milionë euro”, tha Racaj.

Fol kërkon nga Ministria e Infrastrukturës të sqarojë se në çfarë baze i ka nënshkruar këto aneks-kontrata, teksa i bën thirrje edhe Prokurorisë që të fillojë hetimet lidhur me projektin.

“Andaj ne si Lëvizje Fol kërkojmë nga Ministria e Infrastrukturës si autoritet kontraktues të sqarojë se në çfarë baze të vlerësimit ka nënshkruar këto aneks-kontrata me operatorët ekonomikë të lartpërmendur, kur mungon ky plan i menaxhimit të kontratës. Punët dhe shërbimet shtesë përmes këtyre aneks- kontratave i kanë kushtuar buxhetit të shtetit tashmë plus 4 milionë e 397 mijë euro. Ne në këtë rast kërkojmë nga Prokuroria Speciale të tregojë se në çfarë pike kanë arritur hetimet në ndërtimin e auto udhës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Gjithashtu, Fol mirëpret pezullimin e tenderit prej 110 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të kësaj auto udhe në një kohë kur vendi ende nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit dhe nuk kemi mjete për vazhdimin e kësaj auto udhe”, u shpreh ai. /KP/Telegrafi/