LAJMI I FUNDIT:

Letër e hapur për dinarin e Kosovës

Letër e hapur për dinarin e Kosovës
Ilustrimi nga: N1

Burimi: N1
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com*

Dinar i dashur i Kosovës, vëlla dhe mik,


Ka shumë vende në botë ku je valutë zyrtare – në Bahrejn, në Algjeri, në Irak, në Kuvajt, në Jordani, në Libi, në Tunizi dhe në Maqedoninë e Veriut – por, këto ditë krejtësisht pushove vetëm në një vend, në tokën e shenjtë serbe që më shumë njihet si Kosova dhe Metohia, sepse u ndalove nga Kurti, ndërsa presidenti Vuçiq prej ditësh shtiret si i befasuar. Dhe, për Zotin, edhe i fyer.

Aq i befasuar dhe aq i fyer saqë me ditë të tëra e këndon atë këngën e dhimbshme të dashurisë, “Dy dinarë, o shok” të Bora Çorbës [nacionalisti Bora Xhorxheviq, lider i rok-grupit Riblja Čorba], që ty të kushtohet, e cila këngë tregon se sa shumë vuajti presidenti ynë kur shoku Kurti të shfuqizoi, dinar i dashur.

Kënga dedikuar për ty, o vëlla dinar i Kosovës, shkon disi kështu:

I vetëm rrija ulur në tavolinën tonë
çdo gjë që ka pak vlerë ra në pus
sërish Kurti më mashtroi
vetëm një episod e luajta, vetëm një episod.

Doja të bërtisja, vrapova teposhtë
nuk durova dot më
rast social para derës së tualetit
tha dy dinarë, o shok; dy dinarë, o shok.

Nevoja e vogël – një; e madhja – dy
me shikim e preva si me shpatë
më fal, të lutem, e pyeta unë
sa kushton kur brenda qaj.

Kjo këngë tregon se sa i trishtuar është presidenti Vuçiq që ti u shfuqizove, vëlla dinar, madje deshi t’u bërtasë gazetarëve që e pyetën për këtë, por prapë vrapoi për në tualet në bodrum, për të qarë si burrë, ku ndonjë rast social (edhe pse nuk ka njerëz të tillë në vendin tonë, se të gjithë janë të pasur) përsëri të përmendi, kështu që presidenti nisi të qajë e të ulërijë edhe më shumë dhe me shikim preu si me shpatë.

Dinar i dashur i Kosovës, dhe jo vetëm kaq: kur Kurti të shfuqizoi, Shërbimi për Bashkëpunim me Media i Presidentit të Republikës së Serbisë, lexo: [këshilltarja] Suzana [Vasileviq] në bashkëpunim me mediat e Presidentit të Republikës së Serbisë, njoftoi pak më parë se nuk do të ketë asnjë njoftim nga takimi i presidentit Aleksandër Vuçiq me përfaqësuesit e Kuintit dhe BE-së në Beograd, dhe ky ishte njoftimi i parë për të mos e dhënë asnjë njoftim në historinë botërore të asnjë njoftimi.

“Kabineti i Presidentit të Republikës së Serbisë njofton opinionin se nuk do të ketë njoftim nga takimi që ka mbajtur me përfaqësuesit e Kuintit dhe BE-së. Çdo fjalë formale do të ishte e tepërt”, thuhej në deklaratën të cilës i mungonte që vetëm në fund të shkruhej: “Çdo fjalë është e tepërt, le të flasin sytë” – të cilën e thotë çdo çift i dashuruar romantik në takimin e tyre të parë nën dritën e hënës buzë detit.

Por, takimi i presidentit Vuçiq dhe Kuintit nuk ka qenë aspak romantik, ndaj ai nuk e ka dhënë asnjë deklaratë përveç deklaratës për mosdhënien e deklaratës, me përfundimin: “Çdo fjalë është e tepërt”.

Presidenti Vuçiq, dinar i dashur, është njeri i çuditshëm – nëse këtë ti tashmë nuk e di – që bëhet sikur e gjithë bota e jashtme [Beli svet] nuk mund t’i bëjë asgjë, se ai nuk pranon asgjë, se botën e jashtme e rrotullon rreth gishtit të tij të vogël, por në fund ata gjithmonë e mashtrojnë me fjalë të bukura [žednog preko vode]. Ose me fjalë inkurajuese [žednog preko vođe], meqë presidenti Vuçiq është lideri ynë i madh.

Kështu ndodhi edhe një ditë më parë kur u takua me Kuintin, me pesë përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme perëndimore të cilët i thanë se edhe ata ishin pro heqjes së dinarit në Kosovë dhe se nuk u intereson se çfarë mendon ai për këtë, kështu që presidenti Vuçiq vendosi të mos japë deklaratë, por ta japë një deklaratë se nuk do të japë deklaratë.

Kjo është kështu kur dikush e pranon Kosovën në të gjitha segmentet e mundshme – fut serbët në polici, në gjykata, në Parlamentin e Kosovës, njeh targat, letërnjoftimet dhe gjithçka që duhet të njihet, por nuk jep deklaratë për këtë, ama e jep një deklaratë se nuk do të japë deklaratë për njohjen e Kosovës, sepse fjalët janë të tepërta.

– Sa herë takohem me Kuntin, ma japin ndonjë Kvint [qindarkë]. Vetëm se më japin Kvint pa shkronjat V dhe N [Kit – që në zhargonin serb i bie k…] – tha presidenti një ditë më parë për atë se si ia fut Kuinti kur ai takohet me ta.

Dhe, kështu, presidenti Vuçiq, dinar i dashur, u bë figura e preferuar e Kuintit për të futur Kvint. Pa V dhe N.

Presidenti Vuçiq e filloi karrierën e tij si radikal serb dhe një nga këngët më të preferuara të radikalëve serbë ishte “Çfarë shkëlqen në atë dinar, kokarda [simboli çetnik] e babait tim në ballë”, kështu që edhe atëherë dihej se ata ishin ekspertë të dinarit. Kjo më vonë e rekomandoi radikalen e famshme Jorgovanka Tabakoviq që të bëhet guvernatore e Bankës Popullore të Serbisë, dhe ajo këngë sot thotë: “Çfarë shkëlqen në atë dinar, Jorgovanka [lulja] e Vuçiqit në ballë”.

Përveç malit të Dinarit [alpet dinarike] të cilin e humbën qëkur e morën për ta mbrojtur me pushkë dhe murtaja, përparimtarët serbë, trashëgimtarët ligjorë të radikalëve, e mbyllën opusin e tyre se mund të humbin gjithçka që mund të paramendohet dhe në fund arritën të humbin edhe dinarin në Kosovë. Gjë që deri tani askush nuk ia ka dalë me këtë.

Dinar i dashur, siç duket së shpejti do të këndohet kënga “Kur të kthehet dinari në Kosovë”, si dhe kënga “Kur të kthehen targat serbe në Kosovë”, sepse presidenti Vuçiq ia doli që menjëherë të mos pranojë gjithçka që në mënyrë të famshme humbi, apo si të thuash – pranoi.

Por, ai nuk do ta japë kurrë asnjë deklaratë për këtë, sepse i duket se është ngopur duke dhënë çfarëdo dhe gjithçka. Nuk do ta japë – me qira – as garsonierën [deklarata e Vuçiqit se është pronar i vetëm një garsoniere].

Pra, dinar i dashur, ta uroj vazhdimin e jetës në Bahrejn, në Algjeri, në Irak, në Kuvajt, në Jordani, në Libi, në Tunizi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe paksa edhe në Serbi.

Rrofsh! /Telegrafi/

______________

* Shënimet në kllapa të mesme janë sqarime të përkthyesit.