Lekaj: PDK-LDK, koalicioni që premtimet i ktheu në gënjeshtra

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha sot se situata në të cilën gjendet aktualisht Kosova është diametralisht e kundërta e asaj çka në fillim kishin premtuar partitë e koalicionit qeveritarë.
Ai në rrjetin social shkruan Facebook se ky koalicion premtimet i ka kthyer në gënjeshtra.
“Kurorëzimi i fundvitit 2014, i PDK-LDK-së në fillim u tentua të shitet si shpëtim për Kosovën, por shpejt doli në shesh e vërteta. Këto dy parti ‘armike’ shpejt u kthyen në ‘vëllezër’ që rrinë bashkë vetëm për të zhvatë Kosovën gjë kjo që po ndodhë për çdo ditë, javë e vit… Me të drejtë që në fillim të këtij koalicioni, jo vetëm qytetarët e zakonshëm por as edhe vetë elektorati i partive në pushtet nuk e kanë miratuar asnjëherë ketë ‘kurorëzim’”, shkruan Lekaj.
“Premtuan se nën diktatin e tyre do të ketë 24 orë energji elektrike, realiteti është se po kemi deri në një jave terr elektrik në shumicën e Kosovës - kështu nuk mund të zhvillohet asgjë, e më së paku sektori privat i të bërit biznes e rrjedhimisht ekonomia e vendit. Premtuan 320 mijë vende punë, në fakt e nxiten, përmes koalicionit të tyre, ikjen e mbi 100 mijë njerëzve vetëm brenda tre muajve të parë të qeverisjes, ndërsa për dy vite të tjera kemi pasur edhe nga mbi 25 mijë azilkërkues nga Kosova në vendet tjera të Evropës e botës”, shkruan më tej shefi i GP të AAK-së.
Lekaj thekson se po ashtu u premtua qeverisje e dinjitetshme e institucione stabile, por u vërtetua e kundërta.
“Nuk bashkëpunuan më opozitën, me mediat, e shoqërinë civile, për të tria këto dhe për qytetarët kishin përgatitur diçka tjetër, përndjekje, arrestime e kërcënime. Kjo po shihet edhe sot, kur jemi në përballje për të vërtetën, tashmë të mishëruar, rreth demarkacionit. I kapën bordet e agjencionet e institucionet që në vende normale janë të pavarura, edhe ato më të rëndësishmet, siç është Agjencioni i Inteligjencës, Policia e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë”, tha ai.
‘Me premtimet të kthyera në gënjeshtra të këtij koalicioni, mund të shkruhet roman, por sot do ta përmbyllim me një thënie. Qytetarët e Kosovës janë përballë opsionit që të kenë një qeveri e cila do të ndërtojë shtet, apo të vazhdojmë kështu me të pasur vetëm pushtet”, shkruan Lekaj. /Telegrafi/


















































