Leje komunale pa kontroll sigurie, gara automobilistike në Ferizaj krijoi rrezik publik - vetura u përfshi nga flakët

Një garë automobilistike e mbajtur të dielën (26.04.2026) në Ferizaj është përcjellë me rrezikim të sigurisë publike, pasi gjatë manovrave me “drift” një veturë ka marrë flakë, ndërsa publiku ka qëndruar në zonën ku zhvillohej aktiviteti.
Në pamjet që ka siguruar Telegrafi, shihet momenti kur vetura, pas rrotullimeve në rreth dhe krijimit të tymit, përfshihet nga flakët.
Në vendngjarje vërehet prania e Policisë së Kosovës dhe e zjarrfikësve, të cilët intervenojnë pas incidentit.
Megjithatë, videoja tregon se në afërsi të automjetit ndodhen qytetarë, përfshirë edhe fëmijë, dhe nuk vërehen barriera apo shirit të sigurisë që do ta ndanin qartë zonën e garës nga hapësira ku qëndronte publiku, çka e ka ekspozuar atë ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë.
Telegrafi ka siguruar edhe lejen e Komunës së Ferizajt për organizimin e kësaj gare.
Në dokumentin me datë 14 prill 2026 thuhet se aprovohet mbyllja e segmentit të rrugës urbane “Brahim Ademi” për organizimin e garës automobilistike nga Auto Klubi “AK - Ferizaj”, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sporteve të Kosovës, më 26 prill 2026, nga ora 11:00 deri në ora 16:00.
Në leje përmenden segmenti i rrugës që do të mbyllej dhe rrugët alternative për qarkullim, si dhe obligimi i organizatorit për t’i respektuar dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, por nuk specifikohen masa konkrete të sigurisë për publikun, ndonëse në terren, sipas pamjeve, nuk shihet as kufizim i qartë i hapësirës ku mund të qëndronin shikuesit.
Komuna kishte lëshuar lejen te Federata e Autosporteve të Kosovës, duke e obliguar që të vendoste shenjta e sigurisë sipas trafikut dhe garës së mbajtur, mirëpo nga kjo federatë bëri të ditur për Telegrafin se ata kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit dhe Autoambulancën, ndonëse sipas tyre kishte mjaftueshëm masa të sigurisë. /Telegrafi/




















































