LAJMI I FUNDIT:

Leci: Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta rris numrin e inspektorëve të punës

Leci: Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta rris numrin e inspektorëve të punës

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës, Valon Leci në një intervistë Telegrafin, duke folur për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në punë, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta rris numrin e inspektorëve.

Leci ka shtuar se gjatë këtij viti Inspektorati i Punës gjatë tërë aktiviteteve ka pasur prioritetet e caktuara.


“Këtë vit e kemi top prioritet ndërtimtarinë, madje edhe vitin e kaluar ka qenë, unë besoj që si efekt i punës që është bërë vitin e kaluar dhe këtë vit kemi këto shifra që thashë janë shpresëdhënëse. Mundem të ndajë me juve këtu një informacion që këtë vit nuk është ndërtimtaria në vendin e parë të rasteve me aksidente që kanë përfunduar me fatalitet. Këtë vit kemi më shumë se kanë vdekur nga energjia elektrike madje këtë vit nuk e kemi asnjë rast të vetëm që si pasojë e rënies nga lartësia. Është situatë shpresëdhënëse përkundër sfidave”, ka deklaruar Leci.

Ai ka përmendur disa nga faktorët që kanë ndikuar që të bie numri i aksidenteve me fatalitet në punë.

Inspektorati i Punës: Gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin e duhur
Lexo po ashtu Inspektorati i Punës: Gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin e duhur

“Rritja e efikasitet matet përmes disa indikatorëve, unë mendoj se njëri nga indikatorët është rënia e numrit të aksidenteve në vendin e punës. Një indikator tjetër është numri i inspektimeve apo gjobave. Një indikator tjetër i cili është shumë real për me mat efikasitetin edhe besueshmërinë e një institucioni është numri i ankesave që dorëzohen në atë institucion. Ka rritje të dukshme të ankesave, përpos anesës pozitive sepse rritet besueshmëria në institucion shumë shpesh dinë të na bëjnë edhe pengesë në mbikëqyrjen e zbatimeve të ligjit në sektorë të tjerë, p.sh ankesat që i marrim ne prej sektorit publik na bëjnë pengesa në mbikëqyrjen e sektorit privat në këtë rast në ndërtimtari. Ndërkohë që dikush për një pagë më të lartë ka të drejtë ligjore të ankohet dhe ne obligohem që brenda afatit për 30 ditë t’i kthejmë një vendim. Kjo pra të merr kohë me shqyrtuar dhe pastaj të bënë pengesë në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në ndërtimtari ose diku tjetër”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, ai tha koncepti i tij qeverisës do të jetë gjithmonë i hapur, duke shtuar se qëllimi është që  numri i aksidenteve me fatalitet të jetë zero.

“Koncepti im qeverisës siç është i një institucioni i kryeinspektoratit është koncept i hapur, unë e di që ne si institucion nuk mund te bëjmë asgjë vetëm. Për sigurinë dhe shëndetin në punë ka shumë institucione tjera që qëllimin e kanë sikur ne, për çka janë të mandatuar për të njëjtat qëllime mirëpo kemi rrugë të ndryshme se si duhet arritur atë qëllim. Inspektorati i punës për aq kohë sa unë e drejtoj besoj do të jetë një institucion i hapur ku të gjithë akterët do t’i kenë dyert e hapura dhe në bashkëpunim të ndërtojmë një infrastrukturë tjetër të punës, ku do të arrijmë qëllimet. Qëllimi ynë është zero aksidente me fatalitet, mirëpo e di që kjo është e vështirë të arrihet mirëpo çdo numër i rënë është një plus”, tha ai.

Leci tha se do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, mbështetje për inspektoratin e punës.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës, Valon Leci, gjatë intervistës për “Përballje ditore”, në Telegrafi.com (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

“Duhet të ketë nga Qeveria e Kosovës mbështetje për inspektoratin e punës në rritjen e inspektorëve të punës, në rritje të stafit mbështetës, në rritjen e kapaciteteve logjistike dhe infrastrukturore sepse puna e inspektorëve është në terren dhe ballafaqohet me automjete. Si përfaqësues i Inspektoratit këto do të jenë kërkesat e mija”, ka thënë Leci.

Si përfundim, Leci tha se nëse investohet në Inspektoratin e Punës atëherë investohet në në jetën e njerëzve.

 “Ky debat është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”. /Telegrafi/