LAJMI I FUNDIT:

Leci: Gjatë periudhës së COVID-19 kemi pranuar shumë ankesa për largime nga puna

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Punës, Valon Leci në një intervistë për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, tha se gjatë kësaj periudhe të pandemisë së COVID-19 kanë pranuar shumë ankesa për largimet nga puna dhe pagat e punëtorëve.

Në emision është diskutuar për situatën e punëtorëve, zbatimin e Ligjit të Punës si dhe rolin e bashkëpunimin që duhet të kenë së bashku institucionet, bizneset dhe qeveria në këtë situatë.


Leci thotë se pjesa më e madhe e bizneseve janë duke i zbatuar masat e rekomanduara për t’u mbrojtur nga pandemia.

“Ne si Inspektoratit i Punës së bashku më institucionet e tjera jemi duke u munduar ta bëjmë atë optimumin e punës në ruajtjen e të drejtave të punëtorëve. Në këtë periudhë kohore jemi të fokusuar në ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, mirëpo kjo nuk nënkupton që jemi duke i injoruar aspektin e marrëdhënies së punës, sepse tani kanë filluar të paraqiten pasojat edhe në kuptim të marrëdhënies së punës. Fillimisht jemi fokusuar në ruajtjen e shëndetit, kemi bërë inspektime gjatë tërë ditëve të javës dhe me kohë më të gjatë se orari i rregullt i punës”, tha Leci.

Ai tha se, gjatë kësaj periudhe janë inspektuar mbi 1,500 biznese.

“Brenda një muaji prej se ka filluar pandemia, kemi realizuar rreth 1,500 inspektime dhe ka qenë e fokusuar në pajisjet funksionale mbrojtëse. Kanë filluar ankesat e punëtorëve që kanë të bëjnë kryesisht me pagat, me largimet eventuale nga puna, me detyrimin për të marr pushime, ku kemi filluar t’i trajtojmë edhe këto. Sipas një raporti që kam nga terreni del se masat janë mjaftueshëm mirë duke u respektuar. Në një masë të madhe, afër 90 për qind, janë respektuar vendimet dhe udhëzimet qeveritare. Edhe në këtë pjesën që nuk është respektuar, nuk është shkaku i vullnetit për t’u respektuar. Aktualisht është më mirë se sa fillimi, në kuptim të pajisjeve personale mbrojtëse”, tha ai.

Valon Leci, ushtrues i detyrës së kryeinspektorit të Punës gjatë intervistës për Telegrafi.com

Leci në këtë intervistë shtoi se, Inspektoriati i Punës edhe pas periudhës së pandemisë do të vazhdoj t’i trajtoj ankesat e paraqitura.

“Që nga fillimi i pandemisë kemi marr shumë ankesa, parashtresa të ndryshme të cilat shumë shpesh nuk kanë qenë edhe brenda mandatit tonë ligjor, por i kemi bart në institucionet tjera. Ankesat kryesore qysh në fillim kanë qenë në atë se punëtorët a kanë të drejtë të punojnë në ato kompani ku kanë punuar dhe për këtë janë bërë sqarimet e nevojshme, pastaj kemi pasur ankesa për pajisjet personale mbrojtëse dhe distancën. Dua t’i njoftojë të gjithë ata që kanë parashtruar ankesa, se nëse Inspektorati i Punës nuk ka arritur t’i shqyrtoj tani këto për shkak të gjendjes emergjente, do të jemi këtu dhe do t’i trajtojmë të gjitha ato ankesa një nga një”, përfundoi ai.

Leci: Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta rris numrin e inspektorëve të punës
Lexo po ashtu Leci: Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që ta rris numrin e inspektorëve të punës

Në këtë emision kanë folur edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk janë të kënaqur me Pakon Emergjente Fiskale që është ndarë nga qeveria për kompanitë dhe për punëtorët. /Telegrafi/

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.