LAJMI I FUNDIT:

LDK nuk i përjashton ‘disidentët’

LDK nuk i përjashton ‘disidentët’

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përjashtojë deputetët e saj që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Sipas drejtuesve të kësaj partie, LDK-ja asnjëherë nuk i ka përzënë anëtarët e saj. Ndërsa, zyrtarët që kanë dhënë këtë ide të apostrofuarit për largim i quajnë parashutistë

Ideja e dhënë nga disa kryetarë të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për përjashtim të pesë deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit është hedhur poshtë nga drejtuesit e kësaj partie, shkruan ‘Zëri’.


LDK-ja i konsideron spekulime mediale deklarimet për mundësinë e përjashtimit të deputetëve të saj, që në opinion njihen si “disidentët” e partisë.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se largimi i deputetëve për shkak se kanë qëndrim tjetër nga partia do të ishte i paarsyeshëm. Ata madje vlerësojnë se kjo do ta dëmtonte LDK-në.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë për “Zërin” se gjatë 26 vjetëve të ekzistimit të saj, kjo parti nuk e ka përjashtuar askënd. Sipas saj, LDK-ja është subjekt demokratik dhe se anëtarët e saj kanë të drejtë që ta shprehin lirshëm mendimin e vet.

“Kryesia nuk është trup që i përjashton deputetët dhe kjo çështje është ngritur nga mediet pa asnjë bazë. Në LDK për 26 vjet asnjë anëtar nuk është përjashtuar. Siç e keni parë, në LDK ka demokraci ku anëtarët mund të shprehin mendimin e tyre, ashtu siç e kanë bërë 5 deputetët që nuk kanë ardhur në seancë. Njëjtë kanë të drejtë edhe të tjerët të shprehin mendimin e tyre lidhur me zhvillimet dhe kjo paraqet bazën e demokracisë”, ka deklaruar Sahatqija./Zëri/