LAJMI I FUNDIT:

LDK-ja akuzon LVV-në për nepotizëm: Konkursi në KEK është afera ‘Super Pronto’ e tyre

LDK-ja akuzon LVV-në për nepotizëm: Konkursi në KEK është afera ‘Super Pronto’ e tyre

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për nepotizëm, duke thënë që kjo e fundit ka emëruar militantët e vet partiakë dhe ka bërë padrejtësi në konkursin e Korporatës Energjetike (KEK).

Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi ka thënë që LDK-ja është duke përcjellë me vëmendje dukurinë e shtrirjes së nepotizmit nga partia në pushtet. Derisa ka ftuar Prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të të gjithë procesit dhe të marrë masa ndaj keqpërdoruesve.


“LDK është duke e përcjellë me vëmendje dukurinë e shtirjes së nepotizmit nga partia në pushtet. LDK është duke ngritur zërin lidhur me kapjen e institucioneve, në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend RTK, KEK e Ujësjellës, një pjesë e tyre janë familjarë të ngushtë, militantë partiakë”, tha Halimi.

Ajo ka thënë që LVV ka emëruar militantët e vet, pavarësisht mungesës së kualifikimeve profesionale, e po ashtu ka implementuar edhe kapjen e institucioneve të pavarura në Kosovë.

“LVV emëroi militantët e vet partiakë, pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional dhe në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend, me theks të veçantë ato në KEK, PTK e ujësjellës. Një pjesë e këtyre emërimeve janë anëtarë të familjeve të ngushta, zyrtarë të pushtetit e militantë partiakë. Lëvizja Vetëvendosje, organizoi dhe zbatoi edhe kapjen e institucioneve të pavarura në Kosovë, në rregullator, inspektorate e trupa tjerë mbikëqyrës, parti kjo tejet e rrezikshme për vendin”, tha ajo.

Si rast të fundit ajo përmendi konkursin e KEK-ut ku aplikuan 4668 persona dhe u pranuan 128, e sipas sak, prej këtyre, të gjithë familjarë të KEK-ut dhe militantë të VV-së.

“Qytetarët nuk po e paguajnë vetëm çmimin e paaftësisë por edhe çmimin e mashtrimit. Rasti i fundit është konkursi i KEK-ut, ku aplikuan 4,668 persona, ndërsa u pranuan 128 prej tyre, që të gjithë familjarë e zyrtarë të KEK-ut dhe militantë të partisë Vetëvendosje. Kjo është afera ‘Super Pronto’ e LVV-së. Pra bëhet fjalë për mbi 4 mijë e 500 persona të cilëve iu mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përtacisë së tyre partiake. Edhe më shqetësues është fakti se edhe atëherë kur zyrtarët e rëndësishëm të KEK-ut, do duhej të ndalonin punësime të tilla, përfitues të mëdhenj bëhen vet familjarët e anëtarëve të Komisionit intervistues të punësimit”, shtoi Halimi.

Ndërsa, ajo ka kërkuar që një trend i tillë të ndërpritet në mënyrë urgjente, dhe të anulohet konkursi menjëherë.

“Kërkojmë që një trend si ky të ndërpritet në mënyrë urgjente. Këto praktika janë goditje dërrmuese për shpresën dhe synimin e qytetarëve për një shtet të së drejtës dhe mundësi të barabarta. LDK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë e të vendoset drejtësi për 4 mijë e 668 aplikantë, shkarkim dhe suspendim i të gjithë zyrtarëve udhëheqës në KEK, përfshirë edhe komisionin vlerësues, të cilët janë të përfshirë në mënyrë direkte në këtë shkelje si dhe ftojmë prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të të gjithë procesit dhe të marrë masa ndaj keqpërdoruesve”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, KEK me anë të një reagimi publik ka thënë se është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.

“KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit. Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces”, thuhej në njoftim. /KP/