LAJMI I FUNDIT:

LART NË MAL KUJTOJ UKRAINËN

LART NË MAL KUJTOJ UKRAINËN

Poezi nga: Taras Shevchenko
Përktheu: Agim Xh. Dëshnica

Kur vjen e diela, ia mbaj pas shkëmbinjsh
Në fusha, si kusar në fshehtësirë,
Përmes shkuresh zallit të Uralit*
E dal te stepë e gjerë dhe shfreh i lirë…


Zemra e tronditur, përpëlitet
Si peshku mbi ujë e sëmurë.
Qesh në heshtje e fluturon
Si pëllumb ashtu si dikur.

Në liri në hapësirën e huaj
Përtërihem, gjaku më gufon,
Ngjitem e ngjitem
Malit lart vrapoj,
Të shoh, tej në mjegull Ukrainën,
Tmerr kur e kujtoj!

Stepat këtu – të kuqe e gjembore,
Të kaltra e qiellore atje.
Livadhe të endur me blerim,
Lugina në muzg në perëndim.
Këtu – gëmusha, driza, rërë e shkretë,
Një kodër-varr,
Për të shkuarën flet.

Ndoshta prej fillimit të jetës
Frymë njeriu s’ka pasur askund
E kjo shkreti fshihej nga bota.
Gjithsesi mbërritëm këtu
E ngritëm fortesa – qyteza kudo,
Pra edhe varre do të ketë
E punët do të ecin më shpejt!

O vendi i dashur, fati im,
Kur do të kthehem në Ukrainë?
O Zot, medet, do të kalbem,
Larg te kjo greminë!

* Fortesa Orska (1847), pranë lumi Ural në stepat përtej Kaspikut, ku poeti e piktori ukrainas Taras ishte internuar për një kohë të gjatë, si ushtar i thjeshtë, me urdhrin e Carit, i ndaluar rreptësisht të shkruante apo të pikturonte.