“Këtë në një farë mënyre mund ta marrim edhe si kompliment. Mendoj se përfaqësuesit e huaj pas 20 vitesh pavarësi presin nga politikanët maqedonas që të jenë të aftë t’i marrin vendimet në mënyrë të pavarur në të mirën e shtetit dhe të mos mbështeten në mënyrë aq të drejtpërdrejt tek SHBA-të dhe BE-ja por, të kontribuojnë vetë për krijimin e stabilitetit. Gjithë këtë, duhet t’a dëshmojnë tani gjatë zgjedhjeve kurse pastaj, pas zgjedhjeve konfiguracioni i ri politik, do të shohim se si do t’i qaset zgjidhjes së problemeve të rëndësishme të cilat gjenden në rrugën tonë drejt integrimit në NATO dhe BE”, ka thënë Denko Malevski, ish diplomat.

Sipas ish-diplomatit Çashule, gjithashtu është mirë që Maqedonia nuk bën pjesë në prioritet e BE-së për sa i përket menaxhimit me tri vendet problematike siç janë Bosnja, Kosova dhe Lindja e Afërt.


“Unë nuk mendoj se do të ndikojë në integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Problemi ynë është vetëm një; përpjekjet e Greqisë për të mos na pranuar si shtet anëtar me emrin tonë kushtetues. Largimi i Sorensenit, pa zëvendësimin e tij të menjëhershëm, do të thotë se Unioni ka besim tek shteti, se i vlerëson lartë proceset e tij dhe se si vend kandidat që me sukses zbaton reformat një kohë mund të qëndrojë pa përfaqësues të BE-së. Por BE ka zyrën me nëpunës tjerë, diplomatë që do të kryejnë punët e rregullta”, është shprehur Çashule, ndërsa citon Alsat-M. /Telegrafi/