Lapidar Lladrovci i jep fund karrierës si futbollit - ai largohet si legjendë e Feronikelit

Të shtunën, stadiumi i Feronikelit përjetoi një nga momentet më të veçanta në historinë e tij – ndeshjen e fundit në shtëpi të kapitenit legjendar Lapidar Lladrovci, i cili i dha fund karrierës.
Ky nuk ishte vetëm përfundimi i sezonit, por edhe mbyllja e një epoke të lavdishme për klubin nga Drenasi. Lapidari largohet jo vetëm si kapiten, por si një ikonë e vërtetë – një futbollist që i ka fituar të gjitha me fanellën bardhegjelbër: tituj kampioni, Kupa e Kosovës, dhe Superkupa.
Ndeshja ndaj Prishtinës ishte e fundit për Lapidar Lladriovcin, pasi si futbollist është rritur te Prishtina, ndërsa te Feronikeli ka luajtur më gjatë.
Me përkushtim të palëkundur, lidership të natyrshëm dhe shpirt luftarak, Lladrovci nuk ishte vetëm mbrojtësi i prapavijës – ai ishte mbrojtësi i emblemës, ngjyrave dhe krenarisë së Feronikelit.
Për vite me radhë, ai ishte zëri, zemra dhe shpirti i skuadrës në çdo betejë. Në ditët më të mëdha dhe më të vështira, Lapidari ishte gjithmonë i pari që printe dhe i fundit që dorëzohej.
Tifozët, bashkëlojtarët dhe klubi i dhanë lamtumirën që meriton një lojtari që e konsiderojnë si LEGJENDË të klubit. Ai do të mbahet mend për gjithçka që dha në fushë – dhe për gjithçka që përfaqësonte jashtë saj: besnikëri, sakrificë dhe krenari. /Telegrafi/



















































