Lapaj ngre çadër para Kryeministrisë, policia ndërhyn dhe e heq me forcë

Adriatik Lapaj vijon protestën para Kryeministrisë, paralajmëron qëndresë pa afat deri në dorëheqjen e Ramës: “Shqipërisë i duhet qeveri tranzitore 12-mujore”
Protesta e nisur nga kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, para Kryeministrisë, ka hyrë në ditën e saj të dytë, ndërsa numri i qytetarëve të bashkuar rreth tij është në rritje.
Lapaj ka vendosur çadra përpara institucionit, por Policia e Shtetit ka ndërhyrë për t’i hequr ato, duke i kërkuar fillimisht largimin e tyre.
“E kuptoj që gjatë ditës mund të krijojnë problem, por tani natën nuk pengojnë askënd”, dëgjohej t’u thoshte ai efektivëve të policisë, sipas raportimit të A2 CNN.
I ngujuar prej 24 orësh, Lapaj deklaroi se protesta do të vazhdojë pa afat deri në dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që, sipas tij, do t’i hapte rrugën zgjedhjeve të para vërtet demokratike në vend.
“Shqipërisë i duhet një qeveri tranzitore 12-mujore e përbërë nga intelektualët më të mirë të vendit brenda e jashtë vendit. Edhe nëse ai fiton, duke mos pasur administratën dhe Ministrinë e Brendshme që lejon krimin dhe paratë e vjedhura, atëherë t’i shtrëngojmë dorën. Por një njeri që kapet duke vjedhur dhe shton numrin e votuesve, kjo është e pamundur”, tha Lapaj gjatë një lidhjeje për A2 CNN.
Ai e akuzoi kryeministrin për ushtrim presioni mbi sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht mbi Gjykatën Kushtetuese.
Lapaj tha se vendimin për të protestuar e mori spontanisht në Ditën e Rinisë, pikërisht për të simbolizuar pakënaqësinë e gjeneratave të reja dhe mungesën e perspektivës.
“Nuk ka asgjë për të festuar. Ne jetojmë në një republikë fasadë. Kjo nuk duhet të vazhdojë kështu. Kam nisur këtë protestë për të ndalur shtrirjen e gjymtyrëve të pushtetit në drejtësi. Kryeministri ka marrë nën kërcënim GJK-në. Ai me votat që ka mund ta shkrijë gjykatën”, u shpreh ai.
Lapaj foli edhe për mungesën e legjitimitetit moral të qeverisë aktuale, duke përmendur rastet e ministrave të hetuar, arratisjen e ish-zv.kryeministrit dhe rritjen e mandateve të mazhorancës.
“Është e pamundur që me këtë problematikë, sa më shumë kapesh në korrupsion aq më i fortë bëhesh. Nuk jemi në Korenë e Veriut”, deklaroi ai.
Protestuesi që filloi i vetëm, tha se është i gatshëm të qëndrojë për sa kohë “trupi të durojë”.
“Dje hyra i vetëm, sot jemi 10 veta në protestë 24-orëshe pa ndalim. Besoj se nesër do jenë edhe të tjerë. Nëse bëhen shumë njerëz dhe Rama dorëhiqet, atëherë protesta do ketë arritur qëllimin. Nëse jo, unë do vazhdoj deri sa trupi të durojë”, u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se synimi është të ngjallet një reagim qytetar ndaj atyre që, sipas tij, “e kanë lënë Shqipërinë vendin më të varfër të Europës”.


















































