LAJMI I FUNDIT:

Lansohet programi mbështetës për kompanitë e përpunimit të ushqimit

Lansohet programi mbështetës për kompanitë e përpunimit të ushqimit

Programi mbështetës “Coaching for Growth” (Këshillimi për Zhvillim), është program i krijuar posaçërisht për kompanitë që merren me përpunimin e ushqimit dhe prodhimin e ëmbëlsirave në Kosovë.

Ky program që sapo u lansua nga CEED Kosova synon t’ju ndihmojë këtyre kompanive që të zhvillojnë produkte të reja dhe të përmirësojnë produktet ekzistuese dhe të rrisin kapacitetet e tyre.

Më 25 prill 2018, CEED Kosova mbajti takimin e parë me kompanitë që marrin pjesë në këtë program. Kreshnik Lleshi, Drejtori i CEED Kosova dhe Fisnik Reçica, zëvendësmenaxher i projektit PPSE i informuan pjesëmarrësit për qëllimin dhe rëndësine e programit.

Përmbajtjen e modulit të parë më temë “Fillimi – përmirësimi dhe zhvillimi i produkteve të reja” të programit e prezantuan konsulentët/ekspertët me përvojë që janë angazhuar, të cilët folën për hapat që duhen ndërmarrë për përmirësimin dhe zhvillimin e produkteve të reja. I ftuar nderi për të ndarë eksperiencën në takim ishte edhe ndërmarrësi Visar Kelmendi, themelues dhe pronar i Korporatës “Rugove”.

Në programin 9-mujor “Coaching for Growth” marrin pjesë 17 udhëheqës ekzekutivë dhe menaxherë të lartë të kompanive përpunuese të ushqimit dhe prodhuesve të ëmbëlsirave në Kosovë. Në kuadër të programit, ata do të pranojnë një paketë mbështetëse të shërbimeve në mënyrë që të rrisin kompaninë e tyre përmes përmirësimit dhe zhvillimit të produkteve të reja, të njihen me praktikat më të mira të zhvillimit të produkteve nga kompanitë e ngjashme vendore dhe rajonale, si dhe të inspirohen dhe të krijojnë ide dhe njohuri të reja për të ardhmen e qëndrueshme të kompanisë.

Programi “Coaching for Growth” mbështetet nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.