LAJMI I FUNDIT:

Lansohet Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore

Lansohet Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe donatorët ndërkombëtar lansoi Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) është një linjë e re garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK-së dhe që ka për qëllim mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme (NMVM) përmes garantimit të kredive, thuhet në njoftimin për media.

“Kjo Pako, parasheh të rritë mbulueshmërinë me garancion kreditor deri në 80% të vlerës së kredisë, si dhe do t’i ofrojë mundësi edhe fermerëve me Numër Identifikues të Fermerit (NIF). Në kuadër të pakos do të operojnë pesë-dritare që do të adresojnë nevojat e segmenteve te caktuar të tregut. Nga kjo pako pritet të ndihmohet qasja në financa për ndërmarrjet e ndikuara nga kriza si dhe ndërmarrjet me rëndësi strategjike për ekonominë e Republikës së Kosovës. Dritaret garantuese brenda kësaj Pakoje pritet të mbështesin qasjen në financa për NMVM-të në vlerë deri në 202,000,000 € për një periudhë një vjeçare”, bëhet e ditur në njoftim.

Zhvillimi i PRE-së, do të ketë në fokus mbështetjen e kreditimit në sektorët e prodhimit, agrobiznesit, shërbimeve, tregtisë, me fokus të veçantë për gratë në biznes, bizneset e reja (start-up në ICT) dhe investimet në efiçiencë të energjisë.

“PRE në këtë kohë pandemie, do të ketë vlerë të shtuar si për përfituesit e fundit (NMVM-të) të cilëve do të ju mundësohet qasje në financa me kushte më të mira të kredi dhënies në kohën adekuate, ashtu edhe për Institucionet Partnere Financiare (IPF) të cilat do të kenë mundësi të ndajnë një pjesë të madhe të riskut kreditor me FKGK-në”. /Telegrafi/