LAJMI I FUNDIT:

Lansohet fushata Dig Data, për hapjen e të dhënave

Lansohet fushata Dig Data, për hapjen e të dhënave

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) lansoi sot garën e parë nacionale, Dig Data që fton hulumtuesit e të dhënave të gërmojnë të dhënat e hapura, të reflektojnë mbi to dhe ofrojnë për publikun me solucione kreative rreth përdorimit të tyre.

Prezent në hapje ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ambasadori amerikan Greg Delawie.


Presidenti Thaçi ka thënë se hapja e të dhënave ka qenë prioritet i qeverive në vitet e fundit.

“Të gjitha institucionet kanë bashkëpunuar që të rritet transparenca, por rritja e transparencës nuk është rrugëtim një kahesh. Projekti i Fondacionit të Mileniumit do të ndihmojë në hapjen e të dhënave, por edhe shfrytëzimin e të dhënave nga publiku, nga aktorët në shoqëri civile, në biznes, në institucionet kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, Kosova është në reforma të thella dhe të shumëfishta. “Tranzicioni nuk ka pasur të ndalur dhe ka lënë shumë shtresa të painformuara për ligjet e reja, për politikat dhe rregulloret që kanë dalë nga procesi i integrimit evropian. Nuk mund të thuhet se nuk është bërë punë e madhe nga shumë ministri, agjenci dhe institucione, por mund të themi se shpeshherë kjo punë nuk është raportuar dhe shpesh ka munguar bashkëpunimi i sinqertë në mes sektorëve të ndryshëm”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se projekti i Sfidave të Hapjes së të Dhënave apo siç është titulluar nga Fondacioni i Mileniumit “Dig Data”, synon të rrisë këtë bashkëpunim.

“Këtë vit do të punohet me të dhënat e papunësisë, arsimit dhe tregut të punës. Projektet që analizojnë të dhënat dhe që do të gjejnë përgjigje sesi të bashkëpunojë trekëndëshi Qeveri, OJQ dhe biznes, do të shpërblehen dhe ato do të inkuadrohen në punën e institucioneve. Unë kam shumë besim se nëse fokusohemi tek të dhënat dhe jo tek gojëdhënat, nëse punojmë me numra dhe jo shumë me thashetheme, do të arrijmë sukses më të madh shoqëror. Mendoj se Kosova mund të synojë edhe përkrahje të mëtutjeshme nga MCC dhe nga Qeveria Amerikane nëse fokusohemi në indikatorë të një jete më të mirë. Të një ekonomie më të mirë. Të një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që synon NATO-n dhe BE-në”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kurse Ambasadori Delawie bëri thirrje që mendjet më kreative të vendit, të ofrohen në këtë garë, të marrin pjesë dhe të ofrojnë kontributin e tyre.
Dig Data është gara e parë nacionale e këtij lloji në Kosovë dhe e para e MFK që nga lansimi në nëntor të vitit 2017.

Dig Data fton opinionistët, mediat, shoqërinë civile, qeverinë, sektorin privat, akademinë, gazetarët, dizajnerët, inovatorët e teknologjisë dhe të gjithë ata që ofrojnë zgjidhje kreative për adresimin e çështjeve të ndryshme, për të diskutuar mbi rëndësinë e të dhënave të hapura për një qeverisje të hapur dhe më përgjegjëse. /Telegrafi/