LAJMI I FUNDIT:

Lansohet “Akademi Pune”, platforma më e re e punësimit në Kosovë

Lansohet “Akademi Pune”, platforma më e re e punësimit në Kosovë

Me moton “Kurrë s’ka qenë më e lehtë me u përgatitë për punësim ”, rrjeti i punësimit KosovaJob, ka lansuar së fundmi platformën më të re online të punësimit të titulluar “Akademi Pune”.  Kjo platformë ka për synim informimin, vetëdijësimin dhe edukimin e opinionit publik lidhur me tregun e punës.

Nëpërmjet kësaj platformeje, qytetarët do të mund të njoftohen me sfidat në të cilat do të kalojnë që nga momenti kur aplikojnë për një pozitë pune e deri te përfshirja e plotë në treg të punës. Këtë patformë, akoma më të veçantë e bën fakti se deri më tani në Kosovë nuk ka ekzistuar një mundësi e tillë për të ndihmuar në lehtësimin e hapave drejt krijimit të një marrëdhënie pune.


Drejtori i kompanisë KosovaJob, Arion Rizaj, tregon se si u inspirua për të sjellë një platformë të tillë dhe si erdhi deri tek përzgjedhja e këtij emri.

“Akademi nënkupton shkollë apo vend ku merren mësime për një fushë të caktuar. Andaj, e zgjodhëm këtë emër sepse ne donim të sillnim një shkollë online të punësimit në Kosovë. Tregu i punës në Kosovë, vazhdon të jetë një problematikë me të cilën ballafaqohen të gjithë njerëzit, sidomos të rinjtë. Të rinjtë hasin vështirësi qysh në nisje kur ndodhën para një paneli intervistues e deri te sfidat e shumta që vijnë bashkë me punësimin.  Duke i parë këto vështirësi, ne vendosëm të sjellim diçka që lehtëson përfshirjen në treg të punës”, shpjegon Rizaj.

Akademi Pune, vjen me disa rubrika të veçanta si: storje suksesi, video-intervista, artikuj, profile kompanish, kuize në fusha të ndryshme, teste gjuhësh etj. Nëpërmjet video-intervistave ku trajtohen tema të ndryshme, shikuesit në mënyrë të hollësishme do të mund të marrin këshilla direkte nga punëdhënësit në Kosovë.

Në të njejtën kohë, lexuesit do të mund të njoftohen nga afër me punëdhënësit e tyre potencialë dhe të marrin të gjitha përgjigjet në pyetjet që mund të kenë lidhur me kompanitë në Kosovë.

Storjet e suksesit të realizuara me njerëz të suksesshëm në fusha të ndryshme, e bëjnë po ashtu të dallueshme këtë platformë. Këto storje kanë për synim motivimin dhe udhëzimin e njerëzve në hapat drejt suksesit në karrierë.

Artikujt, janë një tjetër rubrikë që ka platforma, ku trajtohen tema të ndryshme me burime dhe jepen këshilla të shumta për përgatitjen për treg të punës por edhe për hapat e mëtutjeshëm në karrierë.

Përveç këtyre elementeve, Akademia do përmbajë edhe kuize të cilat do të pasurojnë njohuritë e qytetarëve në lëmi të ndryshme, si dhe teste profesionale të gjuhëve. Vlen të theksohet se është nisur me testim në gjuhën gjermane, kjo për faktin se tanimë gjuha gjermane është një ndër gjuhët më të kërkuara në tregun kosovar të punës.

Akademi Pune, pritet të bëjë diferencën tek punëkërkuesit, punëmarrësit por edhe punëdhënësit e rinjë në Kosovë, pasi që ata do të mund të marrin mësimet e nevojshme për tregun e punës i cili ndryshon vazhdimisht. Themeluesit thonë se në të ardhmen, nuk do të mungojnë edhe të tjera risi.

KosovaJob shërben si një urë lidhëse mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve dhe si e tillë ka ndihmuar në krijimin e mijëra lidhjeve të punës për 9 vite radhazi.

Për të mësuar më shumë se çka përmban kjo platformë, kliko: www.akademipune.com