Lamine Yamal përshpejton rikuperimin, kthehet në fushë

Anësori i Barcelonës, Lamine Yamal, ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e rikuperimit të tij, duke u rikthyer në fushë të martën për t'u stërvitur individualisht dhe për të prekur topin për herë të parë që nga lëndimi i marrë.
Pas më shumë se një jave punë në palestër, 18-vjeçari ka zhvilluar ushtrime të lehta me top në qendrën stërvitore.
Megjithëse Yamal nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e ardhshme ndaj Real Oviedos, plani i stafit teknik është që ai të jetë gati për t'u rikthyer në skuadër në sfidën kundër Real Sociedad, me qëllim që të jetë në formë për ndeshjen e rëndësishme të Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain më 1 tetor.

Rikthimi i talentit të ri konsiderohet jetik për Barcelonën, që gjatë këtij sezoni ka mbështetur shumë në kreativitetin dhe guximin e tij në fazën sulmuese.
Stërvitjet individuale të Yamal përbëjnë një impuls të madh për skuadrën e trajnerit Hansi Flick, veçanërisht në këtë periudhë me një kalendar të ngjeshur ndeshjesh.
Yamal, i cili sapo është kthyer nga Parisi, ku mori çmimin Kopa si lojtari më i mirë i ri në botë dhe mbeti i dyti i në garën për çmimin e Topit të Artë, ka nisur rikuperimin me ushtrime në palestër, për të vazhduar më pas me stërvitje në fushë me intensitet të ulët, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm dita ditës.
Ky rikthim i shpejtë i lojtarit premton të shtojë cilësinë në sulmin katalanas në muajt e ardhshëm. /Telegrafi/




















































