“Lajmero Policinë”, rreth 600 raportime për tre muaj në Ferizaj

Përdorimi i aplikacionit mobil “Lajmero Policinë”, po shënon rritje të vazhdueshme të përdorimit nga qytetarët e komunës së Ferizajt, duke u shndërruar në një nga format më të përdorura për raportimin e rasteve tek Policia e Kosovës.
Autoritetet policore në Ferizaj thonë se ky aplikacion po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe në identifikimin më të shpejtë të rasteve në terren.
Kapiteni i Policisë së Kosovës në komunën e Ferizajt, Gani Pajaziti, ka bërë të ditur për KosovaPress, se aplikacioni u mundëson qytetarëve të raportojnë raste në mënyrë anonime, pa qenë e nevojshme të japin të dhënat personale.
Pajaziti ka bërë dhe një krahasim të statistikave, ku gjatë vitit 2024-25 ishin mbi 660 thirrje, ndërkohëvetëm në tre mujorin e parë të vitit 2026 ishin mbi 600 thirrje në aplikacion.
“Sa i përket aplikacionit Thirr Policinë, është një prej aplikacioneve që për çdo vit po e gjen veten në rritje e sipër, se është një thirrje e sigurt nga qytetarët. Ne domethënë nuk kemi nevojë as emrin as mbiemrin e atyre që lajmërojnë dhe po na ndihmon faktikisht në aspektin e gjetjes të të dyshuarve, kompletimin e rasteve të ndryshme e kështu me radhë. Dhe kjo sipas statistikave tona, që kemi vitin 2024-25 që kemi bërë një lloj komperacioni, kemi pasur diku rreth 669 thirrje. Kjo sivjet është duke shkuar duke u rritur me një përqindje jashtëzakonisht të madhe. Për tre muajt e parë të vitit 2026, kemi pasur përafërsisht 600 aplikacione. Që do të thotë për tre muajt e parë të 2026, është komplet viti 2025. Që do të thotë se vetë popullata ka gjetur një mirëbesim ndaj neve, po beson edhe po na ndihmon jashtëzakonisht mirë për gjetjen e rasteve të ndryshme që mund të ndodhin në terren”, ka thënë Pajaziti.
Ai ka theksuar se përveç aplikacionit, linja emergjente 192 mbetet forma kryesore e komunikimit mes qytetarëve dhe policisë, përmes së cilës raportohen incidentet dhe kërkohet ndihmë në situata të ndryshme.
Në linjën emergjente në vitin 2025, qendra e komunikimit ka pasur mbi 102 mijë e 550 thirrje.
“Thirrjet kryesore bëhen përmes saj. Për të gjitha edhe incidentet, rastet, informatat e ndryshme, çka do që ndodh në terren, faktikisht 192-shi është ajo thirrja e parë. Dhe vetëm për informimin e juaj, në vitin 2025 kemi pasur 102 mijë e 557 thirrje. Në një mesatare del çdo dy minuta ne e kemi një thirrje nga qytetarët. Përmes kësaj linjës, 192, ne faktikisht kemi komunikim më të lartë me qytetarët e rajonit tonë, ku kemi përgjegjësinë tonë të kryer”, ka shtuar ai.
Pajaziti ka prezantuar edhe statistika të tjera që lidhen me punën e policisë në këtë rajon gjatë muajve të fundit. Sipas tij, janë pranuar mbi një mijë shkresa zyrtare nga stacionet policore, ndërsa rreth 450 raporte të tjera janë hartuar nga policia.
“Kemi mbi një mijë shkresa zyrtare të cilat pranohen prej stacioneve, ajo është interesant. Shkresat tona, raporte të tjera janë diku 450. Kemi verifikimin e veturave që e bëjnë personave, se këto janë kërkesat e njësive në terren të cilat e bëjnë verifikimin e tyre. Personat e verifikuar, është prapë një numër jashtëzakonisht i madh diku rreth 1 mijë e 300, për katër muaj kemi pasur verifikime nga ana e policisë në terren. Raporte të shpejta që janë 55, aplikacionet ato për të cilat e patëm në fjalë janë 377. 600 i kemi pasur vitin e kaluar për 12 muaj, sivjet vetëm për tre muajt e parë, pa e përfshi prillin, ne kemi domethënë 377. Dhe kjo tregon çfarë indikacioni i mirë në raport me popullatën. Edhe thirrje telefonike kemi pasur diku rreth 9 mijë e 300 për këta tre muaj”, ka thënë Pajaziti.
Policia e Kosovës ka zhvilluar në vitet e fundit disa mekanizma për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe raportimin e rasteve të ndryshme në terren. Një nga këto mekanizma është aplikacioni mobil “Thirr Policinë”, i cili u mundëson qytetarëve të dërgojnë informata dhe raportime në mënyrë të shpejtë dhe anonime.




















































