LAJMI I FUNDIT:

Lajm nga Babica

Lajm nga Babica

Deri para disa ditësh, ende nuk ia kisha dëgjuar ndonjëherë emrin, në lajmet e orës 20:00 të ndonjë televizioni, fshatit Babicë të rrethit të Vlorës, por ja që edhe kjo ndodhi. Mësova kështu se atje qenka një shkollë, në të cilën fëmijët nuk mund të shkojnë dhe, rrjedhimisht, bëjnë mësim në sallën e një ndërtese ku zakonisht banorët mblidhen për raste festash, dasmash në veçanti.

Në situatën aktuale kur pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka tronditur edhe jetën shkollore në vendin tonë, unë e kuptoj shqetësimin e zonjës ministre të Arsimit, por, gjithsesi, ajo nuk ka përse të tronditet deri në themelet e ndërgjegjes së saj të kristaltë profesionale e, pa pikë dyshimi, partiake, lidhur me zhvillimin e mësimit në Babicë të Vlorës. Përkundrazi, unë i sugjeroj modestisht e modernisht ta shfrytëzojë këtë rast për të marrë një nismë rrethanore befasuese që do t’i vlejë asaj miratimin dashamirës e ledhatues, madje admirues, të kryeministrit Rama, i cili ka për t’u bindur 100 për qind se zonja Kushi nuk është aspak askushi. Për ç’nismë e kam fjalën? Oh, thjesht fare, le t’u caktojë vartësve të saj për detyrë që, në rastin babician të zhvillimit të mësimit në kushtet e pandemisë, ata të hartojnë një program mësimor enkas për nxënësit e fshatit në fjalë. Po shpjegohem: Duke qenë se ata bëjnë mësim në një sallë dasmash, le të ndjekin njëkohësisht edhe një kurs special për t’u bërë… për t’u bërë… dixhej! Ju, të nderuara lexuese dhe  lexues të nderuar mendoni se po bëj shaka. Kurrsesi, besomëni, kësaj here jam solemnisht serioz! Solemnisht serioz, sepse jam i sigurt që, pasi të marrin dëftesën shkollore dhe, sidomos, dëshminë dixhejore, ata to të gjejnë punë edhe në arsimin shkollor, edhe në argëtimin muzikor tipik në raste dasmash, fejesash, ditëlindjesh e plot e përplot eventesh dhe evenimentesh eventuale, virtuale apo aktuale (kujdes: mbaresa -ale pa “h” përpara!).

Mirëpo, nga ana tjetër, meqenëse dialektika e jetës na mëson orë e çast që gëzimi nuk ndahet dot nga hidhërimi, logjika e do që në fshatin Babicë të rrethit të Vlorës ka shumë të ngjarë që të organizohen edhe ceremoni mortore po në atë sallë ku tani për tani nxënësit janë të detyruar të bëjnë mësim. Megjithatë, zonja ministre e Arsimit, edhe në këtë rast, mund të marrë një tjetër nismë rrethanore befasuese, e cila mund ta magjepsë e ta lumturojë përfundimisht kryeministrin Rama. Në këtë pikë të arsyetimit tim, e imagjinoj, madje e ndiej dihatjen e kureshtjes suaj, o lexuese dhe lexues të intriguar së tepërmi! Po, po, duke qenë se gjatë pandemisë aktuale kanë vdekur e vazhdojnë të vdesin njerëz kudo, zonja ministre e Arsimit le t’u ngarkojë vartësve të saj detyrën të hartojnë një program mësimor enkas për nxënësit e fshatit në fjalë në mënyrë që ata të ndjekin njëkohësisht edhe një kurs special për t’u pajisur profesionalisht me njohuritë e domosdoshme shkencore dhe me diplomën përkatëse falë së cilës do të mund të punësohen… të punësohen në agjencitë e varrimeve!

Dy nismat ministrore e lartpërmendura do të kenë fatin – për këtë jam i sigurt me 100 përqind –të shtrihen jo vetëm në shkollat e rrethit të Vlorës, por edhe në të tëra shkollat e Republikës së Përmortshme së Shqipërisë. Diçka më thotë madje se ato do të përqafohen me një entuziazëm gati-gati orgazmik edhe nga ministret apo ministrat e Arsimit të vendeve të Open Ballkanit perëndimor veçanërisht piramidal të konceptuar nga Aleksandër Vuçiçi dhe Edi Rama. Gjithashtu, ka shumë të ngjarë që dy nismat e sipërpërmendura, të cilat ia rekomandova ministres Kushi, të zgjojnë kureshtjen e homologëve të saj europianë, pse jo, edhe afrikanë, amerikanë, australianë e aziatikë.

Tani dëshiroj seriozisht t’i përgëzoj banorët e Babicës për emrin e bukur të fshatit të tyre, por do të kisha qenë edhe më i lumtur sikur në vendin tonë të ekzistonte edhe një fshat me emrin Mamicë; në këtë mënyrë harta e Republikës së Vrerosur të Shqipërisë do të kishte një fshat baba (Babi-ca) dhe një fshat mama (Mami-ca). Sidoqoftë, këta dy emra të lavdishëm kanë një bukuri zanore të veçantë, madje fort të përveçme, sepse prapashteca -ica seç ka diçka ëmbëlsisht erotike dhe, jo rastësisht, dikur në disa fshatra, nuset e reja i thërrisnin me emrin e bashkëshortit duke i bashkëngjitur këtij emri prapashtesën -ica; kështu, për shembull, nusen e Jorgjit e thërrisnin Jorgjica, atë të Vangjelit e thërrisnin Vangjelica etj. etj.

Së fundi, i ftoj lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm – por ama vetëm ato e ata që vërtet e kanë ndjenjën e humorit – të marrin emrat e bashkëshorteve të një numri të kufizuar pushtetarësh, pra vetëm të atyre që janë në majë të hierarkisë shtetërore apo partiake, dhe t’u bashkëngjitin prapashtesën -ica, pastaj t’i shqiptojnë me zë të lartë e mandej të përcaktojnë shkallën e ëmbëlsisë së tyre erotike; mirëpo në këtë pikë, vetëm bashkëshortja e një pushtetari të quajtur Franc do të shpallej erotikisht më e ëmbla, sepse atë do ta thërrisnin Francica, kështu që Edi Rama, kryeministri ynë i përjetshëm, do ta emëronte automatikisht zëvendësen e vet! /Panorama/

Në trend

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Magazina
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Kalo në kategori