LAJMI I FUNDIT:

Lagarde zgjidhet shefe e BQE-së në një moment të trazuar

Lagarde zgjidhet shefe e BQE-së në një moment të trazuar

Christine Lagarde, shefja e ardhshme e Bankës Qendrore Evropiane duket se nuk ka frikë nga konfliktet.

Ajo si ish-presidente e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritet të marrë zyrtarisht detyrën e re në 1 nëntor dhe bashkë me të edhe shumë përgjegjësi në rritje.


“Debati, kundërshtimi dhe argumenti, janë të gjitha të nevojshme dhe të shëndetshme”, ishte shprehur ajo në një intervistë.

Paraardhësi i saj, Mario Draghi ka lëshuar një paralajmërim të qartë se, Banka Qendrore, e cila ka ulur normat e interesit në kufijtë historike dhe ka rifilluar programin e saj të blerjes së bonove, po arrin nivelet e mundshme të asaj që mund të bëjë për të stimuluar ekonominë e ngadalësuar të rajonit. Prandaj, sipas tij është koha e duhur që edhe qeveritë të hynë në lojë, për të stimuluar rritjen, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet brenda radhëve të Bordit të Bankës Qendrore po rriten. Më shumë se një e treta e anëtarëve të ekipit udhëheqës kundërshtuan vendimin e institucionit, në fillim të këtij muaji për të shtypur para për një afat të pacaktuar, me qëllim blerjen e aseteve financiare.

Lagarde në krye të BQE, merr mbështetjen me votim të fshehtë nga eurodeputetët
Lexo po ashtu Lagarde në krye të BQE, merr mbështetjen me votim të fshehtë nga eurodeputetët

Nga ana tjetër, Sabine Lautenschläger, përfaqësuese e Gjermanisë në bordin ekzekutiv të Bankës Qendrore dhe kundërshtare e hapur e politikave të Draghit dha papritmas dorëheqjen.

Ndaj duket se drejtuesja e re e institucionit më të rëndësishëm të politikave monetare në kontinent, po merr pozicionin në një moment tepër kritik. Si do t’i zgjidhë ajo të gjitha këto dhe çfarë mendon rreth situatës aktuale?

E pyetur nga gazetarët, Lagarde është shprehur se, “është mirë që ka mendime të ndryshme. Nëse do të kishte unanimitet dhe konsensus, do të mungonte debati, i cili është aq i nevojshëm dhe produktiv, për rrjedhën e gjërave”.

Lagarde: Lufta tregtare SHBA-Kinë po peshon si re e errët mbi ekonominë botërore
Lexo po ashtu Lagarde: Lufta tregtare SHBA-Kinë po peshon si re e errët mbi ekonominë botërore

Lagarde e cila ka shërbyer edhe si Ministre e Financave të Francës përpara se të kalonte në Fondin Monetar, pranoi se ka “shumë pyetje rreth asaj që po ndodh në këtë moment” në lidhje me rrugën më të mirë që duhet të ndjekin bankat qendrore.

Gjithashtu, ajo është shprehur se është përgjegjësia e saj për t’i bërë njerëzit bashkë dhe duke diskutuar e ndarë mendime me profesionistë, merren vendime më të mira në dobi të të gjithëve. /Telegrafi/